E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestë kundër kompanisë së vet

Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për një orë kanë protestuar para ndërtesës kryesore së KEK-ut në Prishtinë, në shenjë revolte ndaj keqmenaxhimit, korrupsionit dhe mos aplikimit të ligjit, kurse kanë paralajmëruar protesta të përditshme nga ora 12.00 deri në 0ra 13.00, ndërsa kanë adresuar disa kërkesa në Bordin e KEK-ut, menaxhment dhe në Qeverinë e Kosovës.

Protesta është mbajtur të hënën, e organizuar nga Sindikatës së Pavarur Elektrokosova (SPE) dhe ka filluar nga ora 07.30.

Llazër Krasniqi, kryetar i Sindikatës së Pavarur Elektrokosova (SPE), tha se deri te kjo situatë ka ardhur si pasojë e keqmenaxhimit, korrupsionit dhe mos aplikimit të ligjit, dhe se me këto protesta nëse nuk vihet deri te realizimi i kërkesave të punëtorëve të KEK-ut, atëherë do të ketë edhe greva.

Krasniqi: Protesta do të vazhdojë deri më 31 dhjetor
(Video)
“Sindikata e Pavarur ka qenë e detyruar të fillojë protestat e ditës së sotme, e cila do të vazhdojë deri më 31 dhjetor çdo ditë, prej nesër nga ora 12.00 deri 13.00, kurse nëse nuk realizon kërkesat pas vitit të ri, do të bëjmë protesta ditor dhe greva”, tha Krasniqi.

Gjatë kësaj proteste, sekretari i SPE-së, Naser Gashi ka paraqitur një varg kërkesash drejtuar Bordit të drejtorëve të KEK-ut, drejtorit menaxhues të KEK-ut dhe Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar nga të gjithë këto organe që t’i realizojnë kërkesat, në të kundërtën ai paralajmëroi se protestat do të vazhdojnë edhe gjatë vitit të ardhshëm.

Gashi: Nëse nuk realizohen kërkesat tona do të merren veprime sindikale
(Video)
“Kryesia e Sindikatës së Pavarur Elektrokosova, në emër të juaj dhe në emër tonë, kërkon që mosrealizimi i këtyre kërkesave do të merren veprime sindikale sipas ligjit, prandaj kryetari tha dhe edhe ne po themi, ne do të vazhdojmë më kërkesat tona, pas këtij tubimi shkojnë procedurat që nëse nuk lëshohet pe nga këto kërkesa, vazhdojmë me procedura sindikale, nëse jo atëherë merremi vesh për ecuri të mëtutjeshme”, tha Gashi.

Kërkesat të cilat u adresuan në Bordin mbikëqyrës të drejtorëve të KEK-ut, janë: revokimi i rregulloreve 1, 2 dhe 3, për operacionet e distrikteve të KEK-ut dhe të aplikohet rregullorja mbi përgjegjësinë disiplinore materiale të datës 28. 08. 2009.

Ndërkaq kërkesat drejtuar drejtorit menaxhues të KEK-ut, janë: revokimin e rregulloreve 1, 2 dhe 3 të distrikteve të datës 30. 03. 2009 dhe datës 02. 12. 2009, aplikimin e rregullores mbi përgjegjësinë disiplinore të datës 28. 08. 2009, revokimin e të gjitha vërejtjeve, vendimeve për vërejtje dhe vendimet për ndërprerjen e kontratave të punës në bazë të këtyre rregulloreve 1, 2 dhe 3, ndarja e pagës së 13-të të KEK-ut, aplikimin e orarit të punës prej 07.30 deri 16.00, ose nga 08.00 deri 16.30, rritja e shuajtjes prej 1 në 2 euro, kompensimin e kohës së mëngjesit për punëtorët e operimit, përmirësimin e kushteve të punës dhe parandalimin e lëndimeve me fatalitet.

Ndërkaq kërkesat drejtuar Qeverisë së Kosovës, ishin aktivizimi i Korporatës së Kosovës për Distribuim dhe Furnizim të Konsumatorëve, emërimin e Bordit të Drejtorëve të kësaj Korporate, emërimin e drejtorit menaxhues të kësaj korporate, ndalimin e privatizimit pa përfaqësuesin e Sindikatës së Pavarur Elektrokosova, transparencë në tender në KEK dhe në auditim./

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›