Austria kërkon hise

Posta dhe Telekomi i Kosovës, autostrada dhe qendra turistike e Brezovicës janë ndërmarrjet kosovare më të dëshiruara për austriakët. Në shumicën prej këtyre ndërmarrjeve ata janë prezentë, qoftë si konsulentë qoftë si ofertues për tender. Interesin e kompanive austriake për “gjigantët” ekonomikë të Kosovë e pranon edhe ambasadori i Austrisë në Kosovë, Walter Maria Stojan.
Ai ka shumë besim se PTK-ja do të privatizohet nga kompanitë e shtetit të tij, të cilën edhe janë duke e përgatitur për privatizim me firmën këshilluese “Wolf Theiss” nga Austria si pjesë e konzorciumit Telco AG. Gjithashtu edhe në ndërtimin e autostradës kompania "Strabag", po nga ky shtet ka hyrë në rrethin e ngushtë të pretendentëve për të fituar tenderin. “Tri kompani austriake janë të gatshme për ndërtimin e autostradës. Gjithashtu dhe privatizimin e PTK-së. Pasi që kemi eksperiencë të mirë me telekomunikim në rajon”, thotë ambasadori Stojan.
Sipas tij, nuk do të jetë konflikt interesi nëse kompania më fitimprurëse e Kosovës blihet nga pronarë të të njëjtit shtet që edhe po e përgatisin atë për privatizim. “Nëse këto përgatitje janë transparente, edhe angazhimi i kompanive austriake do të jetë transparent për të evituar dyshimet”, pohon Stojan. Sipas tij, kriza ekonomike ka bërë që komuniteti i biznesit të jetë më konservativ për investime në vendet më pak stabile. Por, kjo nuk do të thotë se austriakët do t’i bien pishman planeve për të investuar vitin e ardhshëm në Kosovë, nëse kosovarët japin dritën jeshile.
Kjo dritë jeshile për të nënkupton qartësimin e pronësisë së ndërmarrjeve shoqërore dhe përgatitjen e infrastrukturës ligjore që investitorët të ndihen të sigurt ku do t’i derdhin paratë e tyre. Problemi më i madh me pronësinë, Stojan thotë se qëndron tek kompleksi turistik Brezovica. Për këtë kompleks ai vlerëson se nëse privatizohet nga austriakët do të ketë investime të mëdha, pasi që ky vend ka traditë në turizmin dimëror. “Është ende e paqartë se kush është pronar. Austriakët do të jenë të interesuar për Brezovicën”, pohon Ambasadori Stojan.
Megjithatë, privatizimi në këtë vend nuk po mund të nisë pa pëlqimin e politikës. Agjensioni Kosovar i Privatizimit dy herë e ndryshoi agjendën e punës për të mos ua prishur qefin serbëve lokalë të komunës së Shtërpcës. Ajo hoqi nga lista e shitjeve tri ndërmarrje të vogla, që do të shënonin fillimin e procesit të privatizimit në këtë anë. Ndërkaq, Qeveria e Kosovës është në përfundim të përgatitjeve për futjen e kapitalit privat në ndërmarrjet publike dhe deri në fund të vitit të ardhshëm pritet të finalizojë kontratat me pronarët e rinj.
Por, premtimi i qeverisë ka qenë që këtë vit të kryhej kjo punë dhe kur kanë mbetur edhe dy javë nga ndërrimi i motmoteve, asnjë nga këto ndërmarrje nuk ka finalizuar kontratat për shitje të aksioneve. Bile PTK-ja sapo ka përzgjedhur kompaninë që do të hartojë strategjinë e saj për privatizim, derisa në KEK janë ndërruar dy kompani konsulente dhe ende nuk është nxjerrë vlerësimi përfundimtar se si do të shitet ndërmarrja.
Përveç aeroportit që është gati të jepet me koncesion, modalitetet e privatizimit për ndërmarrjet tjera do të dihen vetëm pas vlerësimit që do të japin kompanitë konsulente në mot. Konsulentët ndërkombëtarë do të jenë ata që do të përcaktojnë se sa do të ketë hise qeveria në këto ndërmarrje pas privatizimit.