E Hënë, 2 Nëntor 2026

Parashqevi Simaku frymëzim për autorët e rinj, Matilda Guci vjen me librin “3 jetët e saj”

Këngëtarja Parashqevi Simaku, e cila rrëmbeu zemrat e shqiptarëve me magjinë e zërit të ëmbël po motivon autorët e rinj.

Matilda Guci vendosi të vijë te lexuesit e motivuar pikërisht nga këngëtarja, përmes një libri që jo thjeshtë lexohet, por jetohet, dhe ai titullohet  “3 Jetët e Saj”.

Ky libër është një rrëfim i thellë, i guximshëm dhe tronditës, frymëzuar nga jeta e këngëtares dhe e vetë autores.

“Ky libër vjen në copëza ditari nga jeta ime personale dhe i shkrirë në vijën jetësore të të madhes Parashqevi Simaku”, u shpreh Guci.

Dy gra, dy rrugë të ndryshme, por një e vërtetë e përbashkët: fuqia, dhimbja dhe rrëmbimi i të drejtës më njerëzore, mëmësisë.

“Ky libër ka 3 fazat më të rëndësishme që çdo grua kalon, shkëlqimi, rënia dhe gjithashtu ringritja”, tha autorja.

Brenda librit gjendet edhe një nga tregimet më të fuqishme biblike, gjykimin e Solomonit, një histori që, siç thotë autorja, i ndryshoi jetën në momentet më të errëta.

“Pjesa biblike, vjen e rrëfyer nga nja grua e fortë e cila këtë rrëfim ma ka bërë në momentet e mia më të vështira duke dashur të më japi forcë”, tha a Matilda Guci.

Por, kujt i flet ky libër?

“Në jetë duhet dhe të falim për egot tona ne nuk duhet të sakrifikojmë askënd”, tha ajo.

Për të gjitha vajzat dhe gratë që duan të mësojë mëmësinë, ky libër sjell përgjigjet e shumë pikëpyetjeve.

“Mëmësia është ndjenja më e fortë për të cilën njeriu humbet dhe veten”, shtoi Guci.

 “3 jetët e saj” është një histori e pathënë për nënat. Për fuqinë, përjetësinë dhe dhimbjen që i bashkon.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›