E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas një konflikti banal, Prokuroria e Tiranës çon në gjyq babain që vrau djalin

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 74-vjeçarin Hekuran Gjoni, i cili akuzohet për vrasjen e djalit të tij, Asim Gjoni, në ngjarjen e rëndë të ndodhur më 1 shkurt 2025 në zonën e Kodrës së Priftit, në rrugën “Ilia Shyti”.

Sipas dosjes hetimore, gjithçka ka nisur në banesën e familjes, ku babë e bir janë përfshirë në një debat të çastit teksa po qëndronin në tryezë. 74-vjeçari ka deklaruar se ka reaguar fillimisht duke e goditur të birin me shpullë, pasi ky i fundit, sipas tij, e kishte provokuar me fjalë. Konflikti është rënduar kur djali e ka kapur nga rrobat, ndërsa situata është tensionuar edhe më shumë pas ndërhyrjes së vajzës, e cila është shtyrë nga viktima dhe është rrëzuar në tokë.

Në gjaknxehtësi e sipër, i moshuari ka marrë thikën e bukës nga tavolina dhe e ka goditur djalin. Goditja ka rezultuar fatale, pasi ekspertiza mjeko-ligjore ka konstatuar plagë të thella depërtuese në gjoks, dëmtime të mushkërive dhe të zemrës, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme nga shoku hemoragjik.

Prokuroria ka arritur në përfundimin se ndaj 74-vjeçarit janë konsumuar të gjithë elementët e veprës penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, dhe ka dërguar çështjen për gjykim në Gjykatën e Tiranës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›