Paratë e fushatës, KQZ përzgjedh 27 ekspertët
TIRANË- Përzgjidhen 27 ekspertët kontabël që do të bëjnë verifikimin dhe kontrollin e financave të 34 subjekteve zgjedhore, pjesëmarrëse në votimet e 28 qershorit.
Caktimi i tyre u bë sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pas miratimit të projektvendimin për shpalljen e shortit mbi emërimin e ekspertëve kontabël të licencuar. Sipas Kodit Zgjedhor (neni 91) jo më vonë se 45 ditë pas shpalljes së këtij rezultati për çdo subjekt, KQZ emëron me short një apo më shumë ekspertë kontabël të licencuar, të përzgjedhur sipas disa kritereve ligjore, për të kryer auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara në fushatë.
Pas auditimit, më 2 nëntor grupi i ekspertëve do t'i paraqesë KQZ-së raportin dhe më pas komisioni do të mund të bëjë verifikimin e të dhënave. Kjo procedurë mund të përshijë edhe pyetjen e personave dhe subjekteve të ndryshme, këqyrjen e dokumenteve që lidhen me këtë çështje, pranë zyrave përkatëse të subjektit zgjedhor që ka paraqitur raportin, si dhe marrjen e çdo informacioni nga bankat apo persona të tretë, të cilët mund të tregojnë mbi të dhënat e paraqitura në raport.
Për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit qeveria vuri në dispozicion të subjekteve zgjedhore një fond prej 65 milion lekësh. Sipas kodit zgjedhor 50 % e kësaj shume (32.5 milion lekë) u përfitua nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, ndërsa gjysma tjetër e këtij fondi iu nda partive politike që në zgjedhjet pararendëse për Kuvendin morën jo më pak se 2 vende në Kuvend.