E Diel, 1 Nëntor 2026

Paratë e partive, KQZ miraton ekspertët kontabël

Në fillim të muajit nëntor pritet të realizohet transparenca e financimeve që partitë politike kanë përdorur për zgjedhjet e 28 qershorit. Sipas Kodit Zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përzgjedhur me short 26 ekspertët kontabël të cilët do të shqyrtojnë deklarimet që kanë bërë 34 partitë politike të cilat kanë marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare.
Sipas shortit të hedhur nga KQZ, financimi i Partisë Demokratike do të merret në shqyrtim nga shoqëria "Alb BB auditing shpk', Partia Socialiste nga Mihal Ziu ndërkohë që financimi që Lëvizja Socialiste për Integrim ka përdorur në fushatë do të shqyrtohet nga Theodhoraq Gjosha.
Rezultatet zyrtare për zgjedhjet e 28 qershorit u shpallën në 1 gusht dhe sipas Kodit Zgjedhor (neni 91) jo më vonë se 45 ditë pas shpalljes së këtij rezultati për çdo subjekt, KQZ emëron me short një apo më shumë ekspertë kontabël të licencuar, të përzgjedhur sipas disa kritereve ligjore, për të kryer auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara në fushatë.
Pas auditimit, deri në datën 2 nëntor grupi i ekspertëve ka afat për t'i paraqitur KQZ-së një raport dhe më pas Komisioni Zgjedhor mund të bëjë verifikimin e të dhënave të raportit.
Për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit qeveria vuri në dispozicion të subjekteve zgjedhore një fond prej 65 milion lekësh. Sipas Kodit zZgjedhor 50 % e kësaj shume (32.5 milion lekë) u përfitua nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, ndërsa gjysma tjetër e këtij fondi iu nda partive politike që në zgjedhjet pararendëse për Kuvendin morën jo më pak se 2 vende në Kuvend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›