E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

“Paris 2024”, ankthi i sportit shqiptar

Sporti shqiptar tashmë ka hyrë në “ankthin” e kualifikimit me normë për në Lojërat Olimpike “Paris 2024”. Briken Calja, Erkand Qerimaj, Zelimkan Abakarov, Islam Dudaev dhe Luiza Gega duket se mbeten emrat kryesor për t’u kualifikuar me normë për në Paris, sepse trofetë e marrë në vitin 2022 rrishin shpresën për përsëritjen e sukseseve të mëdha. Për Briken Caljan dhe Erkand Qerimajn dy janë provat kryesore të kualifikimit me normë në “Paris 2024”. Bëhet fjalë për Kampionatin Europian të të rriturve në prill në Armeni, si dhe Kampionatin Botëror, i cili në gusht zhvillohet në Arabi Saudite. Pa harruar Çmimet e Mëdha, apo Grand Prix, ndërsa presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, përmend si kandidat potencial edhe Daniel Godellin.

Ndërkohë në mundje Zelimkan Abakarov ka shpresën e përsëritjes së suksesit të shtatorit 2022 në Beograd, sepse atje zhvillohet Kampionati Botëror. Në prill do të jetë edhe Kampionati Europian në Kroaci, por nuk është kualifikuese për në Lojërat Olimpike. Mundja ka premtuar dhe pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Europiane në Krakovia të Polonisë. Sahit Prizreni, presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, sheh si kandidat për t’u kualifikuar për në Lojërat Olimpike dhe Paris Karepin, Kevin Kupin etj.

Vëmendja më e madhe do të jetë tek Luiza Gega, e cila do të ketë Kampionatin Botëror të Budapestit për të realizuar normën e kualifikimit për në “Paris 2024”. Kampionia e Evropës në Mynih është me normë në Botëror dhe si e tillë pritet të jetë dhe në Lojërat Olimpike në Paris. Mund të priten të tilla rezultate edhe nga Alban Beqiri në boks e Indrid Çullhaj në xhudo pa thënë që të tjerë sportistë do të duhet ta synojnë kualifikimin me normë në “Paris 2024”. Sepse sa më shumë të kualifikuar, aq më denjësisht do të mund të paraqitet Shqipëria në Olimpiadë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›