Paris: Largimi i Gadafit, i pashmangshëm
Franca tha se tashmë nuk është në pyetje nëse do të largohet ose jo regjimi i Muamer Gadafit nga Libia, por vetëm mënyra se si do të bëhet një gjë e tillë.
“Pyetja që shtrohet sot është se nën cilat kushte do të largohet Gadafi”, u ka thënë ligjvënësve francezë ministri i Jashtëm, Alen Zhipe.
Ky i fundit ka pranuar se ekzistojnë dallime në mesin e anëtarëve të Bashkimit Evropian për mënyrat se si të detyrohet lideri libian të lërë pushtetin pas 40 vjetësh.
“Disa nga partnerët tanë konsiderojnë se sanksionet janë të mjaftueshme, e disa jo”, ka thënë Zhipe, për të shtuar se largimi i Gadafit është më se i pashmangshëm për të dalë nga kriza.