Parkim publik në Zvërnec – Financimi nga FSHZH, lehtësira për vizitorët në Manastir

Një nga problematikat e ngritura nga tur-operatorët dhe banorët, mungesa e hapësirës së parkimit në Zvërnec pritet të marrë zgjidhje së shpejti. Ka nisur tashmë punën zhvillimi i projektit të financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për një parkim publik për vizitorët e Manastirit të Zvërnecit.
Kryetari i Bashkisë Vlorë Ermal Dredha tha se “plani do krijojë lehtësira të shumta në infrastrukturë për turistët e vizitorët e kësaj zone”.
Infrastruktura e re do të përfshijë ndërtimin e një parkimi në formë të shtrirë gjatësore, me hyrje në perëndim, e cila do te ofrojë rreth 119 vende parkimi në total duke përfshirë dhe vendparkim për autobusat. Me një sipërfaqe rreth 4800m² totale.
Nga Zvërneci Dredha foli edhe për sistemin e menaxhimit të parkimeve brenda në qytetin e Vlorës si dhe ndërtimin e vendparkimeve të reja.
Projekti për parkimet në Zvërnec do të përfshijë përdorimin e materialeve të qëndrueshme dhe përpjekjet për të zvogëluar ndikimin e dioksidit të karbonit (CO2) nëpërmjet përdorimit të teknologjisë së energjisë së rinovueshme.
/rtsh.al/