Parking brenda spitalit, protestojnë mjekët: Do bojkotojmë operacionet
Mjekë dhe shefa pavijonesh në QSUT janë bashkuar dje në një protestë kundër parkingut që po ngrihet brenda oborrit të spitalit nga një kompani koncesionare. Punimet sapo kanë filluar, ndërkohë që dje janë prerë disa pemë shekullore dhe janë hapur kanale, duke shkatërruar të vetmen lulishte që kishte QSUT-ja, ku pacientët dhe mjekët çlodheshin apo merrnin pak ajër, jashtë dhomës së mjekimit.
Apeli i mjekëve
Mjekët e indinjuar i kanë kërkuar Drejtorisë së QSUT që të pezullojë punimet në të kundërt, përveç përshkallëzimit të protestave, do të ketë edhe pezullim të operacioneve të planifikuara si dhe bojkot të mësim në fillim të vitit të ri akademik, në ambientet e kësaj qendre. Ata i janë drejtuar njëherazi edhe kryeministrit të zgjedhur Edi Rama që të mos i hedh sytë vetëm nga ndërtimet pa leje në bregdet, por të shoh si fillim brenda këtu brenda zemrës së Tiranës, ku pikërisht në QSUT, në spitalin ku lindin dhe vdesin njerëz, po kryhen investime të tilla pa dijeninë e grupeve të interesit, duke shkatërruar ambiente publike.
Protesta
“Ne do të protestojmë me mënyrat tona paqësore deri në ndërprerjen e aktiviteteve të planifikuara, të procesit mësimor kur të fillojë ai por unë jam i bindur se njerëzit që kanë ndërmarrë këtë do t’i thërrasin ndërgjegjes së tyre dhe do të jenë koshientë për atë që po bëhet dhe për dëmin që po kryhet, sepse deri tani nuk është bërë ndonjë dëm i madh dhe shumë mirë kjo mund të mbyllet. Ne nuk jemi aq të fortë për ta ndaluar këtë, por shteti po. Unë po ju them se tani Lana është transferuar në QSUT. Nuk ka qendër shëndetësore në botë që të jetë masakruar si kjo e jona. I bëjë thirrje kryeministrit Rama që të hedh sytë nga QSUT-ja, jo vetëm në bregdet pasi pikërisht këtu në spitalin më të madh në vend, po kryhen investime të tilla që shkaktojnë maskara mjedisore. Ky ishte i vetmi park dhe lulishte e spitalit prej vitesh të tëra, nëse duan parking, le ta bëjnë dikur tjetër, por jo këtu, ky është vendi i gabuar,” tha Mustafa Xhani, shef i pavijonit të Urologjisë.
Drejtoria e Spitalit
Pas protestës së mjekëve, ka reaguar nëpërmjet një deklarate për shtyp drejtoria e QSUT-së. Në të sqarohet se janë pezulluar punimet e firmës e cila po kryen investime në pjesën e parkimit dhe menaxhimit të trafikut. Firma e cila po kryen punime ka fituar tenderin nga Ministria e Ekonomisë në nëntor të vitit 2012, ndërkohë që kontrata është nënshkruar në mars të 2013-ës. Sipas Drejtorisë së QSUT-së punimet konsistojnë në krijimin e vend parkimeve për personelin shëndetësor, por kjo është kundërshtuar nga shefat e shërbimeve. Aktualisht drejtoria e QSUT-së ka ngritur një grup pune i cili po punon për gjetjen e një zgjidhje që do i leverdiste të dyja palëve.