Shpronësimet për Bulevardin, pronarët në Tiranë kundër Bashës
Pronarët në Tiranë, shtëpitë e të cilëve do të preken nga ndërtimi i Bulevardit të ri nuk janë dakord me fondin e kompensimit të përcaktuar nga Bashkia e Tiranës. Ata thonë se pronat e tyre nuk janë vlerësuar sipas çmimeve reale të tregut, por trefish më pak.
Vlerësimi
Ndryshe nga çmimi aktual i zonës së Stacionit të Trenit ku metri katror llogaritet 1 mijë deri në 1200 euro, banesat dhe bizneset që do të shemben me nisjen e punimeve për Bulevardin Verior, janë vlerësuar me 26 mijë lekë për metër katror (260 mijë lekë të vjetra). Kjo është një diferencë e madhe çmimi që i ka irrituar pa masë pronarët e vjetër, të cilët ashtu sikurse shprehen edhe vetë, shtëpia nuk iu llogaritet më shumë se 20 milionë lekë, dhe me këtë çmim ata nuk mund të blejnë një shtëpi tjetër.
Banorët
Nuk do të lejojmë që qeveria e bashkia të tallet me ne. Ato kanë bërë vlerësimin me komision të posaçëm dhe direkt i kemi takuar. 15 ditë para fushatës elektorale (2011) kemi takuar Lulzim Bashën dhe na premtoi se do ju dëmshpërblejmë me vlerën reale të tregut por kjo nuk pasqyrohet tek vendimi që firmosi të enjten Sali Berisha. Është vlerësuar 263 mijë lekë të vjetra, metri katror. Kjo nuk është vlera reale. Vlera reale është 1200 euro, thotë para medias Spiro Demiraj, një nga pronarët e banesave që do të shemben.
Ankesat
Banorët tregojnë më tej se kanë hartuar një ankesë dhe nuk do ta lënë me kaq këtë çështje. Ata e quajnë një vlerësim qesharak, gjithë fondin e miratuar së fundmi nga qeveria për kompensimin e tyre, pasi 263 mijë lekë metri katror është vlera e tokës që shitet në Paskuqan, ndaj dhe kërkojnë ngritjen e një komisioni për vlerësimin real të tokës. Dy ditë më parë vumë në dijeni. Kemi hartuar një ankesë dhe do ia drejtojmë dhe ambasadës së SHBA-së. Bashkia me një shpejtësi të paparë po punon dosjet tona. Ku u mbështetën që vendosin çmimin 263 mijë lekë, ankohen më tej banorët.
Propozimet
Për të zgjidhur këtë situatë banorët propozojnë dy zgjidhje: ose tu japin apartamente nga pallatet që janë bosh në Tiranë apo tek fidanishtja të ndërtohen pallate, por jo ti detyrojnë të shkojnë në Paskuqan, me atë shumë lekësh që iu mbetet. Jemi tepër të shqetësuar, na ka zhvlerësuar shtëpitë si copë buke, sikur të ishin domate. Të më bëjnë shtëpinë 18 milionë lekë unë blej vetëm një garsoniere. Ne do ta mbrojmë me gjak pronën tonë, nuk e merr kush dot, thotë një banore e zonës, ndërsa një tjetër shprehet: Prona ime është cenuar shumë pasi na kompensojnë me një çmim qesharak, me 70 milionë lekë për tre familje.
Fondi total
Dy ditë më parë, në mbledhjen e fundit të Qeverisë, u miratua edhe vendimi për kompensimin e pronarëve, pasuritë e të cilëve do të preken nga ndërtimi i Bulevardit të ri dhe Rehabilitimit të lumit të Lanës. Fondi total për kompensimin e 204 shtëpive dhe 58 trojeve llogaritej në 1.8 miliardë lekë, por e përpjesëtuar kjo shumë nuk përkthehet në më shumë se 26 mijë lekë të reja metri katror. Nuk dihet se cili do të jetë reagimi i Bashkisë pas protestave të djeshme të banorëve, nëse do të rritet vlerësimi i shtëpive apo do të lihet me çmimin fillestar, që banorët e quajnë qesharak. Ajo çka dihet është fakti që banorët janë të vendosur me protestat e tyre, gjë që do të krijojë probleme në zbatimin e projektit të Bulevardit Verior dhe Rehabilitimit të Lumit të Lanës.