E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Parlament, shtyhet miratimi i pr.ligjit për taksat kombëtare! Tabaku: Është klientelist

Kuvendi ka shtyrë diskutimin dhe miratimin e projektligjit për ndryshimet në ligjin për taksat kombëtare. Ka qenë deputeti socialist Eduart Shalsi ai i cili ka kërkuar shtyrjen për në seancën e ardhshme plenare të miratimit të projektligjit, pasi deputetëve do u duhet të sigurohen për korrektimin e një gabimi dhe shqetësimi të marrë në momentin e fundit.

“Në emër të një grupi që kemi firmosur amendimet mbi ligjin e taksave kombëtare, të spostohet diskutimi në seancën e ardhshme. Kemi zhvilluar disa takime. Duam të sigurohemi se po korrektojmë një gabim që është bërë. Arsyeja e shtyrjes është sepse në moment të fundit kemi marrë një shqetësim për të cilin jemi të ndjeshëm”, tha Shalsi.

Por kërkesa e deputetit socialist, është kundërshtuar nga deputetja demokrate Jorida Tabaku e cila theksoi se ky ligj u shërben një grupi të vogël njerëzish dhe është klientelist.

“Ligji ka kohë që është depozituar. Ligji është klientelist. U shërben një grupi të vogël njerëzish.

Ligjet me porosi mund ti miratoni vetë. Parlamenti sot ka nevojë të dëgjojë çfarë skeme incentivimi po bëhet për fermerët. Si të nxisim ekonominë e fshatit? Ligji prek një prodhues, dhe ky parlament duhet të ketë turp t’i diskutojë.

Nuk kishte asnjë diskordancë me atë çfarë diskutuan përfaqësuesit e opozitës që ligjet në këtë Parlament vijnë me porosi, ashtu siç erdhi me porosi taksa që u vendos për hirrën e qumështit që prekte vetëm një grup të vogël prodhuesish për të ndihmuar kompani të caktuara në treg”, tha Tabaku, deklarata e së cilës është konsideruar si deformuese nga deputeti Shalsi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›