E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parlamenti Europian, diskutime për zhvillimet në Preshevë

23-01-2013 / Gazeta 55

Zhvillimet në Preshevë kanë qenë në qendër të diskutimit të projekt-rezolutës për Serbinë në komisionin e punëve të jashtme të Parlamentit Europian. Autoriteteve serbe dhe liderëve shqiptarë në Preshevë u bëhet thirrje që të dialogojnë për të zgjidhur çështjet e ngritura: “Lidhur me heqjen e memorialit të luftëtarëve të UCPMB-së, edhe pse është çështje e brendshme e Serbisë ka pasoja në marrëdhëniet bilaterale. Fatmirësisht nuk pati incidente kur u hoq memoriali të dielën në mëngjes. Gjithsesi, ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të vazhdojë dialogun për të gjitha çështjet përkatëse. Shqiptarët e Preshevës duhet të integrohen më mirë në shoqërinë serbe. Por ndërkohë që Beogradi duhet të shtojë përpjekjet për të drejtat e tyre, liderët lokalë shqiptarë duhet gjithashtu të marrin përgjegjësitë e tyre. Ne dënojmë dhunën e shfaqur në kufirin me Kosovën dhe shpresojmë që autoritetet e Kosovës do të parandalojnë zhvillime të tilla në të ardhmen”-deklaroi Kacin.
“Bashkohem me qëndrimin e raportuesit. Nuk ka shenjë dobësie për asnjë qeveri që të angazhohet me durim në dialog me minoritetet kombëtare për të arritur rezultate dhe nuk është shenjë dobësie për minoritetet që të frenohen nga akte që rrisin tensionet në shoqëri”-theksoi Kukan.
“Heqja e këtij memoriali në Preshevë të dielën përbën një arsye shqetësimi”- tha Brantner.
Serbia është përgëzuar për angazhimin në dialogun politik Prishtinë-Beograd. Por eurodeputetët janë të prerë lidhur me zbatimin e plotë tê marrëveshjeve të arritura. Madje ka nga ata që i kërkojnë Serbisë të ndryshojë Kushtetutën për Kosovën.
“Ka një problem me Kushtetutën serbe, ku thuhet, se Kosova është pjesë organike e Serbisë. Kjo duhet të ndryshojë. Nuk mund të vazhdohet kështu. Përsa kohë ne pranojmë këtë, ne pranojmë një kontradiktë juridike në një proces që ne vetë e mbështesim”- tha eurodeputeti György Schöpflin.
Për raportuesin Jelko Kacin, Serbia ajo që është problematike në Serbi është të ndërhyrja politike në institucionet shtetërore dhe korrupsioni në sistemin e drejtësisë: “Ne duhet të inkurajojmë liderët serbë për të luftuar një nga problemet më të mëdha të korrupsionit në Serbi. Ndërrmarrjet shtetërore kontrollohen dhe administrohen totalisht nga partitë politike. Nga ana tjetër, lufta kundër korrupsionit nuk mund të zhvillohet në media me deklarata publike për aksione të ardhshme”- shprehet eurodeputeti.
Duhen nxjerrë mësime nga dështimi i emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë . “Duhet të vendosen kritere të qarta që respektojnë plotësisht pavarësinë e gjyqësorit, përgjegjshmërinë dhe efikasitetin”- thotë eurodeputeja Franziska Katharina Brantner.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›