Parlamenti Evropian miraton rezolutë për Gazën, vendeve të BE-së u kërkohet të shqyrtojnë njohjen e shtetit palestinez

Parlamenti Evropian miratoi me 305 vota pro, 151 kundër dhe 122 abstenime, një rezolutë të përbashkët të paraqitur nga të Gjelbrit, Socialistët dhe Liberalët mbi krizën humanitare në Gazë.
Kjo është hera e parë që një rezolutë kalon me shumicë votash mbi krizën e vazhdueshme humanitare në territorin palestinez.
“Parlamenti Evropian u bën thirrje Shteteve Anëtare të shqyrtojnë njohjen e Shtetit të Palestinës me qëllim arritjen e një zgjidhjeje me dy shtete. Përsërisim kërkesën që të gjithë pengjet të lirohen menjëherë dhe organizata terroriste Hamas të mos ketë asnjë rol në të ardhmen e Gazës,” thuhet në dokument.
Rezoluta dënon fuqishëm bllokadën e ndihmës humanitare në Gaza nga qeveria izraelite e cila ka shkaktuar krizën e urisë në veri të Rripit dhe bën thirrje për hapjen e të gjitha kalimeve kufitare. Parlamenti dënoi gjithashtu me termat më të forta krimet barbare të Hamasit kundër Izraelit dhe bëri thirrje për sanksione konkrete kundër grupit terrorist.
Në rezolutë, eurodeputetët mbështetën vendimin e Presidentes së Komisionit Evropian për të pezulluar pjesërisht marrëveshjen tregtare BE-Izrael.
Ata kërkuan hetime të plota për të gjitha krimet e luftës dhe shkeljet e së drejtës ndërkombëtare, ndërsa mbështetën sanksionet evropiane kundër kolonëve dhe aktivistëve të dhunshëm izraelitë në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor të pushtuar dhe gjithashtu kundër ministrave izraelitë Bezalel Smotrich dhe Itamar Ben-Gvir.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/