E Diel, 1 Nëntor 2026

Parlamenti gjerman miraton paketën financiare

Kriza Vota e Gjermanisë, thelbësore në lëvrimin e 750 miliardë dollarëve

Parlamenti gjerman ka aprovuar dje në orët e pasdites kontributin e vendit në paketën prej 750 miliardë eurosh që është parashikuar për të shpëtuar gjithë vendet e Eurozonës, të cilat do të përballen në të ardhmen e afërt, apo atë të largët, me problemet e mëdha të deficitit buxhetor. Kjo votë ishte shumë e rëndësishme për funksionimin dhe lëvrimin e kësaj pakete, duke qenë se Gjermania, për shkak se është vendi më i fuqishëm ekonomik i kontinentit, ka edhe pjesën më të madhe të pagesës për të bërë në tërësinë e shumës. Sipas përllogaritjeve, Gjermania do të paguajë 148 miliardë euro. Kancelarja gjermane Merkel është përballur që nga momenti që dha fjalën e saj për këtë paketë, me një kundërshti shumë të madhe brenda vendit. Gjermanët në shumicë nuk kanë qenë dakord që vendi i tyre ta ndihmojë Greqinë në vështirësitë e buxhetit në të cilat ndodhet, një krizë që në fakt ka vënë në rrezik dhe në pikëpyetje edhe vetë ekzistencën e monedhës së përbashkët euro. Por ndërsa e ka përkrahur paketën për Greqinë dhe atë për vendet e tjera në rrezik, Merkel është përpjekur që ta justifikojë veprimin e saj me faktin se nëse ai nuk do të ndërmerrej, vetë fati i Bashkimit Europian do të ishte në rrezik. Bundestag, dhoma e ulët e parlamentit gjerman, ka votuar pro shifrës mbështetëse të Gjermanisë dhe pas kësaj ka dhënë aprovimin e saj edhe dhoma tjetër. Vetë Kancelarja e ka përshëndetur votën, duke e cilësuar si një “ditë shumë të rëndësishme për Gjermaninë”. “Unë jam e lumtur që arritëm të kemi një paketë financiare për të stabilizuar euron”, ka deklaruar menjëherë pas votës Kancelarja Merkel. Por ndërkohë zor se kjo mund të konsiderohet si një fitore e vërtetë për Merkelin, e cila ndodhet përballë një situate kundërshtie jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit, në lidhje me mënyrën se si po e menaxhon krizën financiare. Vendimet e saj të fundit i kanë shkaktuar edhe humbje në zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura para 10 ditësh. Vota në lidhje me paketën e ndihmës financiare për vendet e Eurozonës, e cila është parashikuar që t’i ndihmojnë vendet në vështirësi, është dhënë ndërsa ministrat e financës së vendeve të Bashkimit Europian u mblodhën në Bruksel për të diskutuar në lidhje me mënyrat për të parandaluar përsëritjen e një situate të tillë si ajo e Greqisë. Presidenti i Këshillit të Bashkimit Europian, Van Rompuy, tha se task-forca e parashikuar për t’u marrë me monitorimin dhe zbatimin e penalltive të vendeve të ndryshme do të fillojë sa më shpejt për përmbushjen e prioriteteve më të rëndësishme dhe kyçe. Ato përfshijnë zbatimin e një disipline më të madhe buxhetore, krijimin e një mekanizmi efektiv për menaxhimin e krizave dhe nevojën për të forcuar qeverisjen ekonomike në të gjitha vendet e Eurozonës. Tregjet europiane kanë pësuar sërish ulje në ditën e fundit të tyre, nga frika se mos kriza që ka përfshirë të gjithë rajonin do të përhapet edhe në zona të tjera. Në Berlin, ministri i Jashtëm gjerman u tha anëtarëve të Parlamentit se vota ishte thelbësore për ekzistencën e vetë Bashkimit Europian. Ministri i Financave tha se pa euron, “ne si Gjermani do të kishim një ekonomi shumë më të dobët, një Gjermani më të dobët dhe një sistem të sigurimit social gjithashtu shumë më të dobët”.

Por ndërkaq, opozita ka ngritur shumë pikëpyetje për sa u përket objektivave dhe prioriteteve të qeverisë. Sipas një lideri të saj, vihet re se ka një kaos në veprimet e Merkelit dhe nuk dihet qëllimi i saj kryesor, nëse është shpëtimi i bankave, euros, tregjeve financiare, apo çfarë tjetër.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›