Turqia e gatshme të hapë me kushte portet me Qipron
Turqia ka hedhur një hap shumë pozitiv në lidhje me krijimin e marrdhënieve konstruktive shtetin ishullor të Qipros.
Shefi i diplomacisë turke, Ahmet Davutoglu konfirmoi ditën e premte në Stamboll se Turqia është e gatshme të hapë portet e saj për anijet e qipriotëve grekë.
Sipas ministrit të jashtëm turk ky akt do të kryhet siç ështe kërkuar nga Bashkimi Evropian, në këmbim të heqjes së embargos së vendosur kundër entitetit qipriot turk.
"Ne jemi të gatshëm të hapim të gjitha portet turke për qipriotët grekë. Por në këmbim ne do të dëshirojmë vetëm një veprim që ka të bëjë me hapjen e porteve qipriote turke të Kirenias, të Famagustes dhe të aeroportit të Ercanit në Nikosinë e Veriut,''- deklaroi ministri turk Davutoglu në një konferencë për shtyp.
"Bota do të hapë tre porte për qipriotët turq, ndërsa ne do të hapim të gjitha portet për qipriotët grekë'', shtoi ministri, cituar nga agjencia turke e lajmeve''Anadolli Azhans''.
Deklaratat e Davutoglusë para deputetëve të vendeve evropiane dhe mesdhetare u bënë ndërkohë që Bashkimi Evropian i ka kërkuar prej disa vitesh Turqisë të hapë portet dhe aeroportet për qipriotët grekë.