E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parlamenti grek shqyrton sot MSA-në Shqipërisë- BE

Seanca parlamentare do të zhvillohet sot pasdite në Parlamentin grek. Organizata e minoritetit grek dhe një sërë shoqatash pan-helenike që mbrojnë kauzën anti-shqiptare të Vorio-Epirit kanë paralajmëruan protesta në Athinë. 

ATHINE- Parlamenti i Greqisë do të shqyrtojë sot marrëveshjen e Asoocim Stabilizimit mes Shqipërisë dhe BE-së. Shteti helen është vendi i fundit i Bashkimit Europian që nuk e ka ratifikuar ende MSA-në. Athina zyrtare e ka argumentuar vonesën në ratifikimin e dokumentit me procedurat burokratike, duke mohuar që të ketë shkaqe të tjera.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Greqisë, Jorgos Kumucakos deklaroi pak kohë më parë se shtyrja e miratimit të MSA-së është vetëm çështje procedurale dhe “besoj, se shumë afër do të kemi përparësi të shpejtë me miratimin e kësaj çështjeje. Në të njëjtën linjë ai shtoi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira dhe se nga pala greke nuk ka pasur asnjë kusht për ratifikimin e MSA-së. Por ndonëse nuk është pohuar asnjëherë zyrtarisht, kushti i Greqisë për ratifikimin e MSA-së ka qenë ndërtimi i varrezave për ushtarët grekë, të rënë në tokën shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por edhe ky kusht i palës greke u plotësua pak javë më parë, kur Tirana dhe Athina zyrtare nënshkruan një marrëveshje sipas së cilës, në Gjirokastër dhe Këlcyrë do të ngrihen dy varreza për ushtarët grekë.

Ndërkohë organizata e minoritetit grek në Shqipëri, OMONIA si edhe një sërë shoqatash pan-helenike që mbrojnë kauzën anti-shqiptare të Vorio-Epirit kanë paralajmëruan protesta në Athinë. Përmes një deklarate të përbashkët për shtyp, ato kanë ftuar sic citohet në deklaratë “të gjithë grekët, që në datën 14 janar të organizohen në një tubim paqësor para godinës së Parlamentit grek, për të informuar deputetët mbi dhunën e shtetit shqiptar mbi grekët e Vorio-Epirit, si edhe për gjendjen e mjeruar në të cilën ata ndodhen”. Protesta do të zhvillohet në orën 17:00, një orë para se ligjvënësit grekë të fillojnë seancën me debat lidhur me çështjen në fjalë.

OMONIA i kërkoi zyrtarisht Greqisë të mos e ratifikojë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Përmes një memorandumi, drejtuar më 25 nëntor, Parlamentit dhe Ministrisë së Jashtme greke, kjo shoqatë apelonte domosdoshmërinë e plotësimit të shtatë kushteve nga Tirana zyrtare para se Athina t’i japë “OK”-in hyrjes së saj në familjen europiane. Në thelb, kërkesa bazë e OMONIA-s, kryetar i së cilës është kryebashkiaku i Himarës, Vasil Bollano, ishte dhënia e autonomisë për Vorio-Epirin.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›