E Diel, 1 Nëntor 2026

Parllaku: Çarçani erdhi me sampistë, Isai na provokoi me pistoletë

Ish-dhjetoristi Agim Parllaku tregon si nisi nata e pare e lirise

Zoti dhe fati e deshi që ata të ishin aty...

Betejën e filluan nga ballkonet e godinave me imitimin e çiftit diktator Enver dhe Nexhmie Hoxha. Studentët e kthyen në barsoletë: “Patatja është edhe bukë, edhe gjellë...”

Njëri prej atyre protagonistëve, ish-studenti i dhjetorit, Agim Parllaku, tregon për “Standard” të pathënat e asaj nate që mbarti guximin e madh për të rrëzuar diktaturën më të egër. Ai flet për ato net dhe ditë, kur kishin filluar ta largonin frikën, dyshimet dhe drojën teksa dëgjonin Zërin e Amerikës fshehurazi nëpër dhoma, kur komentonin zhvillimet politike më të fundit si rënia e Murit të Berlinit dhe ngjarjet në Rumani, kur përcillnin dorë në dorë “Lahutën e Malcisë” botimin e parë të saj që një shok i dhomës e kishte sjellë nga Shkodra dhe gati të gjithë shokët e kursit kishin filluar ta mësonin përmendësh, kur nuk hezitonin ta krahasonin Fishtën me Naimin, “mallkimi” që i bënin vetes pse nuk ishin pjesë e eksodit të 2 korrikut dhe ironia me krahasimin e të ikurve në ambasada me “jashtëqitjen e kombit”...

Agim Parllaku atëherë ishte 21 vjeç, studionte në Fakultetin Gjeologji-Miniera dhe familja e tij mbartte persekutimin e regjimit komunist. Agimi thotë: “Vuajtjet çnjerëzore gjysmëshekullore të pjesës më të madhe të popullit shqiptar na shtynë përpara, guximi na çoi drejt lirisë, besimi tek e nesërmja na dha forcë dhe shpresë, mosha dhe energjia e saj, mbështetja e gjithanshme popullore dhe idealet e shenjta na çuan drejt fitores...” Plot emocione i rikthehet asaj nate të cilës i mungonin dritat, por që më pas rrezatoi gjithë Shqipërinë. Përballë qëndronte sërish diktatura, ku atë natë të 8 dhjetorit e gjitha u shndërrua në një kordon të gjatë policie, teksa studentët zbrisnin drejt qendrës së kryeqytetit. Agimi ruan të freskët momentin kur ish-ministri i Brendshëm, Hekuran Isai, u gjend pas krahëve të tyre: “Kthej kokën dhe shoh Hekuran Isain, i cili na thotë: Doni cigare? - Jo, nuk e pimë, - i thashë. Të njëjtën gjë thanë edhe studentët e tjerë përreth. - Po, çfarë dreqin doni atëherë? - dëgjova të hakërrehej ndërsa ecte mes turmës për të dalë në krye, i shoqëruar nga truprojat e tij, që na shtynin për t’i hapur rrugë. Gjithë turma thërriste “Hekuran-Sllobodan”... Tashmë uragani nuk kishte të ndalur, misioni ishte i qartë - rrëzimi i diktaturës komuniste. Pas këtij momenti historik për shqiptarët, studentët protagonistë morën rrugë të ndryshme në jetë. Agim Parllaku ndoqi edhe studimet për Juridik, në një kohë kur u bë pjesë e strukturave drejtuese të Forumit Rinor të PD-së, pastaj emigroi 4 vjet në Francë, për t’u rikthyer bashkë me rikthimin e demokratëve në pushtet, ku sot është pjesë e administratës së saj, drejtor i Marrëdhënieve me Publikun në Kuvendin e Shqipërisë.

Agim, një orë e një nate dimri të dhjetorit të ‘90-s u bë shkak për rrëzimin e diktaturës më të egër komuniste. Por çfarë ndodhi konkretisht në Qytetin Studenti?

Ishte ora rreth 20.45, ndodhesha në dhomë, madje në ballkonin e dhomës 218 në godinën 20-21 të Qytetit Studenti. Kishte më se një orë që po përcillnim jehonën e një shfaqje të pazakontë që po ndodhte në sheshin e vogël para kësaj godine. Sapo kishin filluar të grumbulloheshin 5-10 studentët e parë nën thirrjet “Te drejtoria” dhe “Eja mblidhuni, këtu-këtu”. Ndërsa thirrjet dhe barsoletat kundër pushtetit vazhdonin të jehonin ndërmjet dy godinave 20-21 të studentëve të Fakultetit Gjeologji-Miniera dhe 22-23 të Akademisë së Arteve nuk pushonin. Shquheshin për thirrjet e tyre Shpëtimi (Topçja) dhe Dritani (Floriri) në ballkonin ngjitur të cilët vazhdonin imitimin e Enverit dhe Nexhmies në barsoletën se “patatja është edhe bukë, edhe gjellë...”, thirrje e cila përsëritej më pas nga studentët e Arteve.

Zanafilla ishte ndërprerja e dritave në Qytetin Studenti, por a ju ndihmoi ndopak errësira që të “fshihnit” fytyrat...?

Gjithë pellgu i godinave aty së bashku me godinën 26-27 të Inxhinierisë Mekanike-Elektrike kishin ditë që ishin në errësirë të plotë, errësirë e cila na ndihmonte të ishim më të lirshëm, të mos druheshim të vrisnim frikën, frikë të cilën prej kohësh kishim filluar ta largonim. Kishim filluar ta largonim frikën, dyshimet dhe drojën kur dëgjonim “Zërin e Amerikës” fshehurazi nëpër dhoma, kur komentonim zhvillimet politike më të fundit si rënia e Murit të Berlinit dhe ngjarjet në Rumani, kur përcillnim dorë në dorë “Lahutën e Malcisë” botimin e parë të saj që një shok i dhomës e kishte sjellë nga Shkodra dhe gati të gjithë shokët e kursit kishim filluar ta mësonim përmendësh, kur nuk hezitonim ta krahasonim Fishtën me Naimin gati-gati publikisht dhe hapur, mallkimi që i bënim vetes pse nuk ishim pjesë e eksodit të 2 korrikut dhe ironia me krahasimin e të ikurve në ambasada me “jashtëqitjen e kombit”, kur diskutimet për ikjen e Kadaresë dhe revolta për komentet e pushtetit për largimin e tij ishin pa dorashka më mes nesh, kur diskutonim çdo lajm dhe thashethem për ngjarjet në Shkodër, Kavajë, Kuçovë, letrën e hapur të studentëve të Inxhinierisë Mekanike, aktivitetin e zhvilluar tek Instituti i Arteve etj., etj.

Besoj të gjitha këto ngjarje ju bënë më solidarë, por a flitej mes jush tashmë hapur për “njollat” në biografi?

Sigurisht. Të gjitha këto ngjarje, të gjitha diskutimet mes nesh kishin bërë që ne të lidheshim shumë ngushtë me njëri-tjetrin, të flisnim hapur dhe t’i besonim njëri-tjetrit të fshehtat tona si garanci për një lidhje të fortë që nuk do mund ta thyente askush. Ne tashmë i kishim treguar njëri-tjetrit për njollat në biografi dhe atë çfarë mendonim për sistemin, gjendjen politike-ekonomike të vendit dhe udhëheqësit dordolec që na drejtonin, për luftën çnjerëzore të klasave dhe shkatërrimin e vlerave kombëtare ku sarkazma e shprehjes “Vëllezër kinezë e miq kosovarë” ishte thelbi i diskutimeve për zhvillimet më të fundit në Kosovë dhe tradhtinë e shtetit komunist ndaj çështjes kombëtare.

Si rrodhën ngjarjet më pas?

Ndërsa numri i studentëve po shtohej dhe errësira nuk na linte të shquanim se cilët ishin, dëshira për t’iu bashkuar atyre e vrau frikën, mposhti dilemat dhe i dha udhë një historie të re. Së bashku me Emriun, Sandrin, Avniun, Arjanin, Shpëtimin, Dritanin, Stilianin, Myfitin, zbritëm poshtë duke iu bashkuar grupit që ishte shtuar akoma. Për disa minuta vazhduam thirrjet “Eja mblidhuni këtu-këtu”, “Te drejtoria” dhe “Duam drita” dhe kur grupi u bë më shumë se disa dhjetëra, kur me të u bashkuan edhe studentët e godinave ngjitur, filluam të lëviznim drejt drejtorisë së Qytetit Studenti.

Revolta po merrte udhë?

Ishte hera e parë që një grup njerëzish, e aq më tepër studentë, të dilnin në rrugë dhe të revoltuar të kërkonin të drejtat e tyre, ishte hera e parë që një revoltë po merrte udhë për të mos u kthyer kurrë më mbrapa. Grupi po kalonte para godinës 17, ku ishin vajzat e Juridikut, dhe thirrjet për t’u bashkuar me ne nuk morën asnjë përgjigje, dikush filloi të shante, por reagimi i të gjithëve ishte i menjëhershëm, tani fillonte zona me drita dhe filluam menjëherë të shihnim kë kishim në krah, kush ishte me ne, pjesa më e madhe ishin studentë të Fakultetit Gjeologji-Miniera, kjo më ngrohu, më dha forcë, secili prej nesh e dinte se “Urithët” jashtë godinave dhe fakultetit ishin vëllezër mes tyre dhe nuk e linin në baltë njëri-tjetrin.

Pse pikërisht tek “Urithët?

Gjithmonë kisha thënë ç’doja unë në këtë fakultet, ç’doja unë të studioja për naftë, por këtë herë isha krenar, isha krenar për ata që kisha në krah, kjo më dha forcë, kurajo dhe besim. Pastaj vazhduam drejt godinës 15, sheshit tek mensat për t’iu drejtuar drejtorisë së Qytetit Studenti. Grupi ishte dyfishuar, kureshtarët ishin shtuar dhe hezitimi i tyre për t’iu bashkuar grupit po binte. Zona nga kishim lëvizur nuk ishte shumë e ndriçuar, kjo gjë na kishte larguar frikën dhe tani gjithçka ishte më ndryshe.

Para drejtorisë qëndruam shumë pak, ora ndoshta kishte kaluar 22.00, thirrjet “Duam drita” ishin gjithnjë e më të rralla. Ndërsa filluam të lëviznim drejt godinave 11-12, kënga “Se mjaft në robëri o e mjera Shqipëri, o djem rrëmbeni pushkët ja vdekje ja liri” dhe “Eja mblidhuni këtu-këtu bashkë me ne” filloi të ushtonte në të gjithë qytetin. Ndodheshim përpara godinës 11-12, studentet kureshtare kishin dalë në dritare dhe vështronin.

Me sa mbaj mend, pak më herët ishte bërë një takim mes Kryeministrit Adil Çarçani dhe disa studentëve. Çfarë u bisedua me të?

Në këtë godinë në mesditë kishte ndodhur takimi i Kryeministrit Çarçani me studentë, ku një nga vajzat i kishte thënë: “Unë nuk do të lind fëmijë për ju” dhe një djalë nga Tropoja i kishte thënë: “Ke ardhur të bësh takim me studentët apo me sampistët? Thirrjes për t’u bashkuar me ne nuk po i përgjigjej asnjëra nga vajzat. Dikush shau përsëri dhe tentoi të gjuante me gurë. Numri i studentëve ishte shumë i madhe dhe nuk i njiheshin më. Dikush bërtiste të fikeshin dritat për solidarizim, por edhe që të mos na fotografonte njeri. Në momentin kur edhe një student tjetër tentoi të godiste me gur, një student dukshëm më i madh në moshë, me trup të bëshëm, por me gjatësi mesatare, që unë e dija se ishte nga Tropoja, por nuk i dija emrin, u ngjit në një nga bordurat aty afër dhe me një ton gati urdhërues tha: “Vajzat janë motrat tona. Askush të mos godasë”. Turma iu bind pa komente, megjithëse pjesa më e madhe nuk e njihte.

Ai ishte Azem Hajdari?

Të nesërmen i mësova emrin, ishte Azem Hajdari. Vazhduam të lëviznim poshtë në rrugën drejt Tiranës me thirrjet “Te sheshi ‘Skënderbej’ te sheshi Skënderbej’”.Në këtë pjesë të rrugës, e cila është një e tatëpjetë, vura re që masa e studentëve ishte disa qindra, kjo na dha krahë. Ndërsa zbrisnim poshtë, filloi të dëgjohej thirrja “Liri-Demokraci” dhe disa metra më poshtë edhe “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”. Të gjithë thërrisnin derisa të ngjethej trupi, sytë të mbusheshin me lot, kapnim njëri-tjetrin për krahu dhe sikur nuk ishim në tokë, por sikur fluturonim, sikur ishim në një botë sureale, sikur nuk ishim më ne, sikur ishim në ëndërr. Ecnim më të vendosur së kurrë përpara, pa e ditur se ku, por duke e ditur se çfarë donim, diçka që na vinte nga thellësia e shpirtit, diçka që na bashkonte dhe na jepte forcë.

Si reaguan banorët e Tiranës teksa ju shikonin nga ballkonet e shtëpive?

Ndërsa lëviznim ngadalë, në një nga shtëpitë private, në anën e poshtme të rrugës, shoh të dalin një familje e tërë (burri, gruaja dhe dy fëmijë të vegjël) me çanta në duar. Burri m’u drejtua duke më thënë: ‘Tek ambasada italiane po shkoni? E humbëm rastin e parë, tani nuk na kthen më askush’. E pashë, nuk i ktheva përgjigje, ndërsa po thërrisja së bashku me turmën “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”. Burri me familjen ndaloi, ndërsa ne vazhduam përpara. Tek kryqëzimi, për herë të parë, pashë një kordon policie të armatosur dhe pajisur si mos më mirë. Nën thirrjet e studentëve për të fikur dritat ata i fikën. Kjo tregonte se ata na kishin frikë.

Është momenti kur shfaqen kordonët e policisë?

Së bashku me ta dikush tha se ishte ministri i Arsimit dhe kërkonte një përfaqësi për t’u takuar me R. Alinë. Nga radhët e para morën disa studentë dhe u larguan. Pavarësisht kësaj thirrjet filluan të ishin më entuziaste. Ne vazhdonim me thirrjet “Liri-Demokraci”, “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, “Te sheshi ‘Skënderbej’”, dhe duke u përleshur me gardhin e policisë vazhduam poshtë rrugës që të çonte te Liceu Artistik. Pa arritur, aty ku ka një degëzim rruge, sa kalon kopshtin në të djathtë të rrugës, qindra forca policie kishin bllokuar rrugën. Dukej qartë se nuk do ishte e lehtë për të vazhduar më tej. Asnjëherë deri atë ditë nuk kisha parë aq shumë forca policore, forca speciale të pajisura dhe armatosura deri në dhëmbë. Ata ishin aty për t’u përballur me ne, ata të armatosur deri në dhëmbë, ne të armatosur me urrejtjen gjysmëshekullore të një populli të tërë. Minutat kalonin, banorë kureshtarë shikonin fshehurazi nga dritaret dhe ballkonet, ndërsa ne që u bënim thirrje të bashkoheshin me ne. Kishte kaluar mesi i natës.

Ç’po bëhej me studentët e tjerë?

Ne ishim në ankth se pse po vonoheshin. Diku rreth orës 00.30 vijnë studentët që ishin në takim me Alinë dhe ndërsa po tentonin të flisnin me megafon dhe ne nuk po dëgjonim mirë, dikush vjen nga mbrapa dhe më prek për krahu. Kthej kokën dhe shoh Hekuran Isain, i cili na thotë: Doni cigare? - Jo, nuk e pimë, - i thashë. Të njëjtën gjë thanë edhe studentët e tjerë përreth. - Po, çfarë dreqin doni atëherë? - dëgjova të hakërrehej ndërsa ecte mes turmës për të dalë në krye i shoqëruar nga truprojat e tij që na shtynin për t’i hapur rrugë. Gjithë turma thërriste “Hekuran-Sllobodan”.

Është folur për një provokim të Sigurimit të Shtetit ndaj studentëve. Si është e vërteta?

Ndërsa po kalonin përpara, një nga shoqëruesit thirri: “Më morën pistoletën!” Skenari i tyre për të ushtruar dhunë filloi të vihej në jetë. Shkopinj gome, grushte, shqelma vërshuan mbi ne, njëlloj siç kisha parë milicët serbë mbi studentët kosovarë në rrugët e Prishtinës. Diku aty afër ishte oborri i kopshtit të lagjes. Kaluam atë, më pas oborrin e një shtëpie private ngjitur me të dhe pastaj rrugicave për t’u kthyer në Qytetin Studenti. Ora mund të ishte 01.30, kur së bashku me shokët e mi u gjenda tek sheshi para mensës 7.1 dhe 7.2 në krye të shkallëve. Aty kishte disa studentë, të gjithë ishim të revoltuar për dhunën e përdorur. Për disa minuta pllakosi një heshtje varri, sikur dëgjoheshin vetëm kërcitjet e dhëmbëve nga inati.

A pati hezitim nga ana e studentëve pas dhunës së ushtruar mbi ta apo tashmë nuk kishte kthim mbrapa?

Një nga studentët tha se s’mund ta linim me aq. Dikush tjetër tha të takohemi nesër. Dikush tjetër tha se nesër s’duhet të shkojmë në mësim. Pas një diskutimi disa minutash u vendos që nesër s’do të shkonim në mësim dhe do të takoheshim në sheshin para mensës 7.3. Për këtë duhej të flisnim me studentët e tjerë. Thamë se nuk ka më kthim prapa. Kështu mori udhë Lëvizja Studentore, lëvizja më e shenjtë në historinë moderne shqiptare, lëvizja e studentëve idealistë dhe ëndërrimtar.

20 vjet nga ajo natë, ç’do të thotë për ty?

Sa më shumë largohemi nga 8 dhjetori i vitit 1990, aq më shumë kjo datë ngjitet në piedestalin e historisë, lartësohet dhe madhështohet në të gjitha dimensionet e saj.

Shumëkush gjatë këtyre viteve ka marrë përsipër të shkruajë dhe flasë për këtë lëvizje, duke sjellë përpara publikut mendimet dhe opinionet e tyre për atë që studentët përjetuan dhe për çka kjo lëvizje solli në zhvillimet politike, ekonomike dhe demokratizimin e vendit.

Pjesëmarrës dhe protagonistë të këtyre zhvillimeve me një modesti të theksuar janë munduar të sjellin përpara lexuesve emocione dhe fakte mbi të dhe zhvillimin e saj, duke e parë gjithnjë në këndvështrimin e tyre personal, pa marrë përsipër të japin konkluzione dhe pa dhënë deklarime absolutiste, duke u treguar fisnikë dhe të kujdesshëm, pa dalë asnjëherë jashtë fisnikërisë së tyre dhe asaj që ata i përkisnin dhe përfaqësonin, kësaj lëvizjeje, si misionarë të një momenti historik unikal, të pazëvendësueshëm dhe të papërsëritshëm, duke i qenë mirënjohës vetëm Zotit dhe fatit për praninë e tyre në këtë lëvizje dhe bindjes së tyre se kishte ardhur koha dhe momenti që të shkelmohej përgjithmonë ai sistem çnjerëzor dhe i kalbëzuar. Ai sistem po i merrte frymën Shqipërisë, duke pasur të vetmen garanci absolute suksesi dhe mbështetjeje vuajtjet, dhimbjet, gjakun dhe jetët e mijëra e mijëra fëmijëve, vajzave e grave, djemve e burrave, intelektualëve, qytetarëve shqiptarë nga të katër anët e vendit që për gjysmë shekulli u persekutuan deri në përçmim në kalvarin komunist, duke synuar zhdukjen e vlerave dhe trashëgimisë sonë më të mirë kombëtare e shoqërore dhe duke synuar krijimin e njeriut të ri, kësaj krijese pa fe, pa atdhe, pa familje, pa komb, produkt kolektiv inkubatorësh, hibrid i shëmtuar i internacionalizmit proletar dhe diktaturës së proletariatit, i shovinizmave ruso-sllave e klikave kriminale të vendeve më të pazhvilluara të planetit, krijimi i një shteti bunker, të rrethuar me tela me gjemba, me një popullsi në mjerim, skamje dhe varfëri të plotë, produkt i së cilës ishin radhët e gjata, akumulimi deri në shpërthim i pakënaqësisë popullore si dhe zhvillimet më të fundit ndërkombëtare.

Këto ishin baza dhe garancia e fitores, baza dhe garancia e një fillimi dhe fundi të suksesshëm?

Pa dyshim, madje ishin baza dhe garancia e fillimit të 8 dhjetorit dhe lëvizjes studentore, këtij uragani popullor që do të rrëzonte çfarëdolloj klike dhe klani, çfarëdolloj diktature dhe diktatori do të pluhuroste çdo lloj kalkulimi dhe strategjie kulisash dhe hienash, duke garantuar sukses dhe fitore, duke garantuar një ngadhënjim mbi vdekjen, duke siguruar dhënien fund të këtij tmerri pa fund. Për këtë ishin të sigurt të gjithë ata studentë që natën e 8 dhjetorit të vitit 1990 e në vazhdim dolën nga godinat e Qytetit Studenti në rrugë, duke mënjanuar anonimatin e pakënaqësisë popullore dhe duke i dhënë asaj emrin dhe përgjegjësinë e tyre, duke marrë mbi supe peshën dhe përgjegjësinë e kësaj sfide të madhe historike, duke afruar sakrificën sublime të jetës dhe familjeve të tyre për të sfiduar diktaturën më gjakësore të globit dhe për të siguruar lirinë dhe vetëm lirinë, demokracinë dhe shtetin e së drejtës për t’u bashkuar më së fundi natyrshëm me qytetërimin evropian, të cilit i përkisnim në shekuj.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›