E Shtunë, 31 Tetor 2026

Risitë dhe problematikat e arsimit të lartë në Elbasan

Mati Çela, drejtori i DAR Elbasan, prej tre muajsh drejton institucionin qe ka nisur rrugen e reformimit te gjithe sistemit arsimor ne kete drejtori, e dyta pas Tiranes per nga rendesia. Ne nje interviste per gazeten “Standard”, ai sqaron me detaje problematiken, kriteret e emerimeve per mesuesit dhe drejtuesit e shkollave, rrugen e reformave te pandalshme bazuar ne politikat e arsimit qe po ndjek qeveria dhe MASH, investimet e kryera dhe besimin per rritjen e cilesise dhe treguesve ne shkollat e rajonit te Elbasanit.

Z. Mati, prej tre muajsh ju drejtoni DAR Elbasan. Cilat janë sfidat dhe problematikat me të cilat po përballeni?

Ky vit shkollor është vit sfidash të mëdha në fushën e arsimit. Për të përballuar këto sfida kemi kërkuar vazhdimisht mobilizimin e të gjitha stafeve pedagogjike, por edhe një bashkëpunim më të frytshëm me nxënësit, me prindërit dhe komunitetin. Jemi duke punuar për konsolidimin e mëtejshëm të arsimit parashkollor, i cili po zgjerohet nga viti ne vit me synim përfshirjen në të të gjithë fëmijëve 5-vjeçarë. Jemi duke zgjeruar shtrirjen e gjuhës së huaj në të gjitha shkollat 9-vjeçare të rrethit, nga viti në vit vazhdon të rritet numri i nxënësve që vazhdojnë shkollat e mesme, vazhdon të zgjerohet arsimi profesional, por po ngulmojmë për përmirësime rrënjësore dhe cilësore të këtij lloj arsimi për të ndryshuar më tej raportin midis nxënësve që vazhdojnë gjimnazet dhe atyre që vazhdojnë shkollat profesionale, vazhdojnë me shpejtësi përmirësimet në kurrikulat e reja sidomos në gjimnaze, “TIK” është gjithnjë e më tepër në shërbim të procesit mësimor, ka një shtrirje të kualifikimit të mësuesve e drejtuesve dhe sidomos një harmonizim më i mirë i të gjitha llojeve të kualifikimeve me finalizim ndjekjen në masë të masterave profesionalë.

Dihet se DAR Elbasan ka një shtrirje të gjerë gjeografike, po ashtu edhe nevojat për punësim në sistemin arsimor. Cila ka qenë zgjidhja e ofruar nga ju?

Po, është e vërtetë që rajoni ynë ka një shtrirje gjeografike të gjerë. Ne si DAR ushtrojmë detyrën në 337 institucione shkollore, nga të cilat 54 janë shkolla të mesme. Në bangat e shkollës për këtë vit shkollor janë ulur 68398 nxënës. Këtyre nxënësve u japin mësim 4340 mësues, nga të cilët 835 në arsimin e mesëm. Me gjithë numrin e madh të shkollave dhe të mësuesve që japin mësim në to, si rezultat i numrit relativisht të madh të kuadrit mësues që del nga degët e mësuesisë të universiteteve tona, vetëm në rrethin e Elbasanit ka rreth 1500 mësues të diplomuar dhe që janë të pasistemuar në punë. Një pjesë e mirë e shkollave shtrihen në zona të thella malore, gjë që deri në njëfarë mase ul në mënyrë të ndjeshme gatishmërinë e mësuesve të rinj për t’u përgjigjur detyrës në këto zona.

Cili ka qenë kriteri i emërimeve për mësuesit dhe drejtuesit e shkollave? A keni gjetur parregullsi në dokumentacionin që ka të bëjë me personelin?

Për të gjitha kategoritë e personelit që kemi rekrutuar në arsim, kriteri bazë dhe i vetëm ka qenë ai profesional. Arsimi në vendin tonë, siç ju thashë, është para sfidash të mëdha përballimi i të cilave ka të bëjë me të ardhmen e nxënësve, por edhe të shoqërisë në përgjithësi. Këto sfida mund t’i përballojnë vetëm mësues e drejtues të shkolluar mirë, të përgatitur nga ana metodike e shkencore, por dhe të përkushtuar në misionin e tyre. Besoj këto janë arsye të mjaftueshme për të mos lejuar futjen në arsim të njerëzve jashtë këtyre kritereve. E theksoj se kriteri i vetëm në përcaktimin e vendit të punës ka qenë dhe do të mbetet ai profesional. Sipas këtij parimi, deri tani kemi bërë 40 emërime të reja në mësues dhe 15 emërime në kuadrin drejtues të institucioneve shkollore. Është detyrë jona të vazhdojmë lëvizjet dhe, sipas meritës, të përcaktojmë vendin e punës për secilin.

A mendoni se reformat në sistemin arsimor në Elbasan janë në rrugën e mbarë?

Vitet e fundit janë vitet e një reformimi të thellë dhe rrënjësor në fushën e arsimit në përgjithësi dhe në veçanti në atë të nivelit parauniversitar. Për këtë, me kënaqësi konstatoj se ka një mobilizim të gjithanshëm të të gjithë aktorëve që ofrojnë shërbimin arsimor. Falë këtij mobilizimi, falë kompetencës profesionale të mësuesve e drejtuesve të institucioneve shkollore, por falë edhe bashkëpunimit të frytshëm me komunitetin dhe pushtetet vendore, reformat arsimore kanë shënuar rritje të prekshme. Treguesit sasiorë dhe sidomos ato cilësorë kanë ardhur në rritje. Shkolla është më miqësore dhe më e gatshme t’i ofrojë të interesuarve shërbim me cilësi më të lartë.

Sapo keni mbyllur një analize të punës 1-vjeçare. Cilat sipas jush janë evidentuar si arritje dhe si probleme që presin zgjidhje?

Realisht cilësia e shërbimit që ofrohet në rajonin tonë dhe arritjet janë në nivele të larta. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, kur punës plot përkushtim e profesionalizëm të stafeve pedagogjike që shërbejnë sot në arsim, i bashkëngjitet fryma arsimdashëse e komunitetit elbasanas që për disa breza, ka jetuar me problemet e arsimit. Përfitoj nga rasti të përshëndes të gjithë drejtuesit e institucioneve shkollore të rajonit si dhe stafet pedagogjike të tyre për mirëkuptimin dhe partneritetin e ofruar në misionin tonë të përbashkët. Gjithashtu, një përshëndetje të veçantë do të doja të jepja për të gjithë ata breza mësuesish që në vite kanë krijuar traditën në arsimin elbasanas, traditë që është një bazë e shëndoshë në arritjen e suksesit. Por njëkohësisht unë mendoj se ky komunitet arsimdashës meriton të kërkojë më shumë prej nesh, prandaj theksoj se e përgjithshmja pozitive nuk duhet të shërbejë si mburojë për ato që na japin performancë nën nivelin e kërkesave të kohës. Të mësuarit nga gabimet korrigjon kursin e shkollës, që vitin pasardhës të mos përplaset me të njëjtat gabime, prandaj në qendër të vëmendjes sonë për periudhën në vazhdim do të jenë përmirësime të tilla që kanë të bëjnë me luftën kundër shfaqjes së formalizmit dhe fiktivitetit që në disa raste është në doza të papranueshme. Rritjen e efektivitetit të punës në të gjitha hallkat e arsimit, në planifikim, në mësimdhënie, në punën kualifikuese të të gjitha llojeve etj. Rritjen cilësore të shërbimit arsimor që shkolla në rajonin tonë i ofron nxënësve i dhe në përgjithësi gjithë komunitetit. Përmirësimit të procesit Matura Shtetërore 2011, por edhe të provimeve të lirimit për të bërë të mundur minimizimin e rasteve të përfitimit të pamerituar edhe nga nxënës të veçantë.

Si paraqitet situata e investimeve në shkollat e rajonit të Elbasanit? Cila është e ardhmja e tyre për vitin 2011?

Është e qartë për të gjithë se kushtet e punës të mësuesve e të nxënësve ndikojnë dukshëm në arritjen e suksesit në gjithë procesin mësimor dhe edukativ, prandaj është synim i vazhdueshëm yni krijimi i kushteve për mundësimin e zhvillimit të procesit mësimor në mjedise normale të rikonstruktuara apo të reja. Për këtë vit nga buxheti i shtetit janë investuar rreth 200 milionë lekë të reja për ndërtime apo rikonstruksione godinash shkollore. Si rezultat I investimeve vetëm gjatë këtij viti, zhvillojnë mësim në godina të reja nxënësit në shkollat “Sule Harri” në qytetin e Elbasanit, në shkollat Bradashesh, Fierzë dhe në shkolla të rikonstruktuara në Funar, Gostimë, Cërrik, Sericë etj. Gjithashtu, në vëmendjen tonë ka qenë dhe do të jetë përdorimi me efikasitet i të gjitha burimeve financiare në përgjithësi dhe në veçanti të atyre që kanë të bëjnë me pasurimin e bibliotekave të shkollave, me kabinetet, laboratorët dhe në përgjithësi me çdo lloj baze materiale në shërbim të mësimit. Të dukshme janë përmirësimet në pajisjen e shkollave me laboratorë informatike si dhe përdorimin me efikasitet te tyre nga mësuesit e nxënësit. Mjafton të themi se në shkollat e rrethit tonë janë në shërbim të nxënësve 3250 kompjutera dhe pritet të montohen edhe rreth 500 të tjerë, për të kuptuar rëndësinë që i është dhënë shërbimit të teknologjisë së informacionit në shkollat tona. 

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›