E Shtunë, 31 Tetor 2026

Part-time, fluks kërkesash në Drejtësi dhe Ekonomik



Fluks kërkesash në degë të ndryshme për studimet me kohë të pjesshme ka pasur gjatë ditëve të para të regjistrimeve. Burime nga Universiteti i Tiranës bëjnë të ditur se ashtu sikurse edhe në vitet e kaluara, fluksin më të madh të kërkesave e regjistrojnë Fakulteti i Drejtësisë dhe Fakulteti i Ekonomisë, duke lënë pas degët e tjera.

Nesër në orën 16:00 do të jetë afati i fundit i regjistrimit për të gjithë ata që janë të interesuar të vijojnë studimet me kohë të pjesshme në një nga universitetet publike në vend. Ata kanë ende edhe 48 orë kohë për të paraqitur në sekretaritë e departamenteve në universitete, dosjen e tyre të aplikimit, së bashku me mandatin e tarifës së regjistrimit.

Sakaq, rezultatet do të shpallen të hënën e ardhshme, sipas udhëzimit përkatës të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës. “Institucionet Publike të Arsimit të Lartë do të shpallin dhe do të afishojnë listat e kandidatëve fitues në vende të dukshme, në mjediset e njësive kryesore përkatëse, brenda orës 12:00 të datës 14.12.2009, të ndarë sipas programeve të studimit përkatës”, – bën të ditur ministria.

Ndërsa regjistrimi i kandidatëve në programet e studimit me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë ku janë shpallur fitues do të zhvillohet nga data 14.12.2009 deri në datën 18.12.2009, prej orës 8:00 deri në orën 16:00, pranë sekretarive mësimore të departamenteve të Institucioneve publike të Arsimit të Lartë.

Ata të cilët kanë dëshirë të regjistrohen në dy ditët e mbetura, duhet të paraqesin të gjitha dokumentet e kërkuara nga universitetet.

Dosja e plotë e kandidatit, sipas udhëzimit, duhet të përmbajë: fotokopje të noterizuar të dëftesës së pjekurisë së shkollës së mesme ose fotokopje të noterizuar të ndonjë diplome tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar të barasvlershme me të; dokument identifikimi (certifikatë lindjeje me fotografi, kartë identiteti ose pasaportë), ku në dosje të mbahet certifikata e lindjes me fotografi, fotokopja e kartës së identitetit ose e pasaportës; 2 fotografi; mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.500 lekë; si edhe deklaratë që vërteton se kandidati nuk ndjek ndonjë program tjetër studimi me kohë të plotë ose me kohë të pjesshme.

Për studentët që vijojnë një program të dytë, ata duhet të paraqesin një fotokopje të noterizuar të diplomës, në vend të dëftesës së pjekurisë.

Nis samiti i Kopenhagenit, çfarë pritet të ndryshojë

Delegacionet nga 192 vende të botës nisin sot e për dy javë bisedime në Kopenhagen, të cilat kanë si qëllim të vendosin një traktat të ri global për ndryshimin e klimës. Por për çfarë do të diskutohet në këtë takim dhe çfarë pritet të arrihet përmes tij?

Ndryshimi i klimës

Klima e Tokës ka ndryshuar gjithnjë në mënyrë të natyrshme. Për shembull, lëvizshmëria e orbitës së planetit tonë ndryshon edhe distancën e tij nga dielli, që ka shkaktuar epokat e akullnajave dhe periudhat më të ngrohta. Sipas një raporti të IPCC-së është gati 90 për qind e mundshme që njerëzimi të jetë përgjegjës për ndryshimet e klimës në kohët moderne. Shkaku kryesor është djegia e fosileve, qymyrguri, nafta dhe gazi. Këto prodhojnë dioksid karboni, që po t'i shtohet dioksidit që është vetë i pranishëm në atmosferën e Tokës, vepron si një mbulesë, që akumulon më shumë energjinë diellore duke e ngrohur sipërfaqen e Tokës. Shpyllëzimet dhe proceset që emetojnë gaze të tjera që shkaktojnë efektin serë si gazi metan, kontribuojnë gjithashtu. Megjithëse, efekti parësor është një rritje e temperaturave mesatare në mbarë botën - "ngrohja globale" - kjo sjell edhe ndryshim në nivelin e shirave, rritjen e nivelit të detit, ndryshime të temperaturave gjatë natës dhe ditës etj. Këto lloj çrregullimesh më komplekse, kanë marrë etiketimin "ndryshim i Klimës" apo më saktë "ndryshimi antropogjenik i Klimës, pra i shkaktuar nga njeriu.

Përse një traktat të ri?

Bisedimet në Kopenhagen zhvillohen brenda kornizës së UNFCCC, të ngritur në samitin për Tokën në Rio de Zhaneiro në vitin 1992. Në 1997, UNFCCC solli Protokollin e Kiotos. Por asnjë prej këtyre marrëveshjeve nuk mundën të zvogëlojnë rritjen e emetimeve që shkaktojnë efektin serë, në mënyrë të mjaftueshme për të shmangur pasojat e klimës që projektohen nga IPCC. Në veçanti, objektivat e Protokollit të Kiotos për reduktimin e emetimeve aplikohen vetëm mbi një grup vendesh dhe skadon më 2012. Qeveritë dëshirojnë një traktat të ri që është më i madh, më i fortë, që është më përfshirës dhe më i sofistikuar sesa marrëveshja e Kiotos. Në muajin qershor, G8 dhe një numër i madh vendesh të zhvilluara, pranuan se rritja e temperaturës mesatare përpara epokës industriale, duhet të kufizohet në 2 gradë Celsius. Në parim, traktati i Kopenhagës shihet si një përpjekje për të kufizuar emetimet e gazeve serë me qëllim që bota të qëndrojë brenda limiteve.

Çfarë kërkohet?

Këtu përshihen shumë çështje. Vendet e industrializuara do të vendosin objektiva për të reduktuar emetimet e gazit me qëllim që të zbusin ndryshimin e klimës. Data kryesore për këtë angazhim është viti 2020, megjithatë disa vende po shohin përtej vitit 2050. Australia, BE, Japonia dhe Zelanda e Re kanë thënë se janë të përgatitura për ta bërë këtë deri në 2020. Edhe vendeve të pasura të zhvilluara pritet që t'u thuhet që të kufizojnë emetimet e tyre. Nëse ato ndërmarrin zotime, ka gjasa që ato të kontrollojnë rritjen e emetimeve, sesa të bëjnë ulje të tyre. Angazhimet e tyre pritet të shprehen në formën e reduktimit të rritjes së emetimeve në njëfarë përqindjeje krahasuar me tendencën e deritanishme. Për të ndihmuar vendet në zhvillim që të reduktojnë emetimet e tyre, vendet e industrializuara kanë rënë dakord në parim për t'i ndihmuar ato në sektorë si për shembull energjia e ripërtërishme. Vendet në zhvillim po kërkojnë mekanizma që mund të shpejtojnë transferimin e teknologjisë. Shumë vende po mendojnë se si të përgatiten më mirë për pasojat e ndryshimit të klimës dhe çfarë lloj përshtatjeje do të jetë e nevojshme. Këtu përfshihen masa si ngritja e digave mbrojtëse në det, sigurimi i burimeve me ujë të pijshëm dhe krijimi i varieteteve të reja të bimëve. Vendet në zhvillim po kërkojnë financime substanciale dhe të besueshme për t'i ndihmuar ato që të përshtaten. Argumenti i tyre është se bota e industrializuar e ka shkaktuar problemin dhe është ajo që duhet të pagojë për ta zgjidhur. Masat për të mbrojtur pyjet do të jenë pjesë e marrëveshjes.

Marrëveshje ndryshimi?

Temperatura mesatare globale është rritur me 0.7 gradë Celsius, krahasuar me epokën para industriale. Në disa pjesë të botës kjo ka patur pasoja dhe një marrëveshje në Kopenhagë nuk mund t'i ndalë këto pasoja, por megjithatë mund të sigurojë financime për të ndihmuar në përballimin e pasojave. Gazet që shkaktojnë efektin serë, siç është CO2, qëndrojnë në atmosferë për dekada dhe përqendrimi është kaq i madh, sa që është gati e pashmangshme ngrohja e mëtejshme. Shumë analiza sugjerojnë një rritje mesatare prej 1.5 gradë Celsius, krahasuar me periudhën industriale. Një marrëveshje e fortë në Kopenhagen mund ta mbajë rritjen e temperaturës poshtë 2 gradë Celsius, por duke patur parasysh pasiguritë në lidhje me mënyrën se si reagon nga atmosfera dhe oqeanet nga përqendrimin i gazeve që shkaktojnë efektin serë, ndoshta kjo nuk do të arrihet. Kjo është arsyeja përse vendet në zhvillim vënë kaq shumë theksin tek përshtatje, për të cilën thonë se është e nevojshme që tani. Për momentin uljet e premtuara nga vendet e industrializuara nuk janë të nevojshme për të ndaluar një rritje të përgjithshme të emetimeve. Çfarëdo që të ndodhë në Kopenhagen, takime të tjera do të jenë të nevojshme për të finalizuar rregullat e çdo traktati të ri.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›