E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çapaliku & Basha, të parët në Evropë!



Bienalja Ndërkombëtare e Teatrit “New plays from Europe” sapo ka përzgjedhur për herë të parë një dramaturgji shqiptare, veprën “Allegreto Albania” me tekst të shkruar nga Stefan Çapaliku, e regji të Altin Bashës, për të qenë pjesëmarrëse në edicionin e saj të dhjetë, që pritet të mbahet nga datat 17-27 qershor 2010 në Weisbaden, afër Frankfurtit, e themeluar së pari në Bon, në vitin 1990, nga dramaturgu i njohur gjerman, Tankred Dorst, prej të cilit njohim veprën që është vënë në Shqipëri, “Fernando Craft shkruan një letër”. Motivi i përzgjedhjes së dramës shqiptare? Selektorët kanë thënë: “Një vepër që vendos ekuilibër në mes lokales dhe globales, përmes të shkruarit kontemporan”.

Ironia e bretkosës në dramën “Allegreto Albania”, me regji të Altin Bashës, ka qenë gati profetike në tekstin e Stefan Çapalikut, sepse ky tregim dramaturgjik jo vetëm që ka dhënë një angazhim të teatrit në jetën sociale shqiptare, por hamendësimi i një vendi ishullor, të izoluar, me një dëshirë mitike për të qëndruar në moçal, që na bezdis veshët “guakja” – përbën një rrëfim tipik lokal. E parë në një sy më të gjerë, atë global, e për më tepër me tendencën e gjetjeve të reja teatrore në Evropë; Bienalja Ndërkombëtare e Teatrit “New plays from Europe” sapo ka përzgjedhur për herë të parë një dramaturgji shqiptare për të qenë pjesëmarrëse në edicionin e saj të dhjetë, që pritet të organizohet në 17-27 qershor 2010 në Weisbaden, afër Frankfurtit.

Bëhet fjalë për dramën e mësipërme të shkruar nga Stefan Çapaliku, me të cilën ka fituar çmimin e parë në konkursin e dramës shqipe në Teatrin Kombëtar. Bienalja konsiderohet si një nga veprimtaritë më të rëndësishme të teatrit në Evropë, që mbahet një herë në dy vjet. Vepra shqiptare që do të përfaqësojë teatrin shqiptar, pra “Allegreto Albania” është rishfaqur në skenën e Teatrit Kombëtar para tri javësh, pa asnjë ndryshim nga premiera në sezonin e kaluar, këtë arsye ka pasur. Selektorët e bienales kanë qenë të pranishëm në Tiranë, kanë parë shfaqjen dhe kanë dhënë motivin e përzgjedhjes: drama vendos një ekuilibër midis lokales dhe globales, përmes të shkruarit bashkëkohor. Lajmin për gazetën “standard” e bëri të ditur vetë dramaturgu Stefan Çapaliku, i cili u shpreh se ky vendim i ka ardhur këto ditë nga organizatorët e bienales. Entuziazmi i dramaturgut përmbledh gjithë domethënien e zvarritjes së gjatë, prej 20 vitesh, për të qenë edhe teatri shqiptar në xhiron evropiane. Dhe pa dyshim vlerësohet si ngjarje që për herë të parë ne mbërrijmë në kohë, në ditët që i takojnë teatrit evropian tamam me synimin për të qenë vetja, përballë të tjerëve ashtu siç përmbledh dhe koncepti i dramës. Bienalja “New plays from Europe” është themeluar në Bon së pari në vitin 1990 nga një nga dramaturgët më të njohur gjermanë, Tankred Dorst, prej të cilit njohim veprën që është vënë në Shqipëri “Fernando Craft shkruan një letër”. Prej 1990-s bienalja ka vazhduar të mbahet në Bon deri në vitin 2002, ku më pas u transferua në Wiesbaden, afër Frankfurtit.

Aktualisht, “New plays from Europe” drejtohet nga Alfred Belhartz, i cili është dhe presidenti i Institutit Ndërkombëtar të Teatrit. Selektorët e Bienales kanë mbyllur deri tani punën e tyre me përzgjedhjen e dramave për këtë edicion, ku siç jepet dhe në sitin zyrtar të bienales, janë rreth 30 vende nga Evropa që do të përfaqësohen me vepra bazuar mbi tekstet e dramaturgëve të gjallë. Çapaliku tregon se këto tekste do të botohen në gjuhën gjermane, ndërsa shfaqjet do të kenë përkthim simultan për secilën gjuhë.

“New plays from Europe” është festivali më i rëndësishëm për botën bashkëkohore të teatrit dhe më gjerë, ndërsa në website, njoftohet se programi do të publikohet në këtë faqe në prill të 2010-s për të gjitha vendet dhe autorët që do të luajnë aty.

“Allegreto Albania” është ndër shfaqjet e vetme që ka pasur zë të njëjtë të pritjes mirë qoftë nga kritikët dhe mediat, si angazhim ardhur nga provokimi i të përditshmes, në një realitet si ky yni që nxit dhe mbart folklorizma, ku Kanuni është sfondi i ngjarjeve.

Regjisori është shprehur për këtë shfaqje se interesi i tij kanë qenë kodet tipike shqiptare, simbolikë, për të mbarsur gjithë arsenalin psikologjik për të kuptuar çfarë ndodh qoftë dhe buzë Lanës në Tiranë, ku një godinë qëndron ende e pashembur, e deri në zonat më të thella të Shqipërisë. Drama e familjes, vendi ku gëlojnë OJQ-të, media, raporti i brezave, personazhet dhe vetvetja, e vërteta, koha etj. Por, kjo shfaqje, qoftë nga dramaturgu dhe regjisori, ka pasur gati një afrim ndjesor dhe për ndodhjen e tyre - tanimë si përfaqësues të teatrit shqiptar për herë të parë, në një nga organizimet më të rëndësishme të teatrit bashkëkohor se ironia e bretkosës shkon edhe në këtë rast, ku aktorë e regjisorë e shohin veten të ishulluar me zhvillimet teatrore që po ngjasin sot në botë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›