E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vatra” dhe arbëreshët e Massachusetts-it



Më kujtohet, në vitin 1994, në Boston, bëhej një paradë e kulturave etnike, ku parakalonin dhjetëra emigrantë të kombësive të ndryshme me veshjet e tyre karakteristike. Më tërhoqi vëmendjen një grua e veshur me kostumin identik të

arbëreshëve të Italisë: fustani i gjerë jeshil, i mbledhur me sure rreth belit, një jakë e bardhë dantellë punuar me dorë, e hapur mbi gjoks në formën e dy kokave të shqiponjës, njëra kundrejt tjetrës. Do të qëndroja ashtu, me vështrim të ngurosur, e mrekulluar e njëkohësisht pa u besuar syve, derisa ndjeva të

më tërhiqte për mënge shoqja shqiptare përbri meje. “Shiko!, - bërtiti ajo, - një nuse me kostum arbëresh! Eja shkojmë ta takojm녔 Por ishte e pamundur të çaje turmën e njerëzve të grumbulluar në të dy anët e rrugës. Nusja arbëreshe iku si legjendë…

Në një nga muzeumet e Nju-Inglandit (New England) ishte ftuar secili emigrant të sillte nga një send a suvenir të vjetër të kulturës së vendit të tij të origjinës. Duke vizituar pavijonet e këtij muzeu, u ndala para një kutie kristali ku lexohej “Albanese”. U afrova më pranë e dallova një patkua kali të argjendtë: në njërën anë të patkoit ishte gdhendur në metal emri “Albanese” e në anën tjetër “Augustine”. U informova se ai patkua përkujtonte një italian e një arbëresh, dy ortakë që kishin hapur një farkë në qytetin e Lynnit, në fillim të shekullit të 19-të. Kur u ktheva në shtëpi, hapa librin e telefonave tek adresat e rezidentëve dhe tek shkronja “A” gjeta shumë familje me mbiemrin “Albanese”. Zgjodha e i rashë kuturu një numri e, tek mbaja frymën nga kureshtja e padurimi, m’u përgjigj një zë burri, Robert Albanese. Kur u prezantova e i thashë se edhe unë isha “albaneze”, atë grimë m’u duk se dëgjoja në eter “Moj e bukura More”. Ai ndërroi

tonin indiferent të zërit e m’u lut të qëndroja sa më gjatë në të bisedë telefonike, e cila filloi t’i interesonte mjaft. Ishte hera e parë në jetën e tij që fliste me një shqiptar të përtej Adriatikut. Ai më tregoi se i ati, arbëresh, Anton Albanese, kishte ardhur në Lynn, Mass, më 1891 me vëllanë e vogël Roko dhe punonte në një fabrikë këpucësh. Arbëreshët e parë punonin kryesisht bashkë me ardhësit italianë si skalitës e gdhendës gurësh e mermerësh, si farkëtarë, artizanë, fermerë etj. Shumë arbëreshë kishin marrë pjesë në ushtrinë amerikane gjatë Luftës së Parë e të Dytë Botërore. Roberti më dha adresën në internet, ku kishte regjistruar pemën gjenealogjike të familjes. Duke lexuar “Albanese Family Genealogy Forum”, “Arberesh Home Page”, “Family Tree Maker” etj. gjeta aq

shumë emra të rinj njerëzish të padëgjuar ndonjëherë, por që tingëllonin familjarë me shqipen! Antoni Albanese ishte i biri i Josif Albaneses dhe i Filomena Majokës, lindur në Grottaminarda, provincë e Avelinos, Itali, më 1863. Ai vdiq në qytetin Haverhill të Massachusetts-it në vitin 1914.

Në një rast kur takova profesorin e nderuar Peter Priftin, ai më sqaroi se dikur ndodhej një komunitet i madh arbëreshesh në fshatin Milford, pranë Bostonit. Ata e quanin veten “albanezë”. Lideri i tyre, dr. Nikola Capece, ka vdekur para 15 vjetësh. “Më 1969, - vazhdon profesori, - me iniciativën e Anton Athanasit, shoqëria “Vatra” ftoi arbëreshet e Italisë të vinin në Boston e gjetkë për një vizitë, që të njiheshin me shqiptarët e Amerikës”. Kjo ishte si kthim i vizitës së nderit

që bënë shqiptarët e Amerikës në Romë, në vitin 1968, për të marrë pjesë në festimin përkujtimor të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Kështu, arbëreshët erdhën në Boston me një delegacion prej 60 vetash. Me atë rast, ata, së bashku me shqiptarët e Bostonit, shkuan edhe në Milford për t’u përshëndetur me bashkëkombësit e tyre atje. “Gjashtë vjet më vonë, - thotë zoti Peter, - shqiptarët e Bostonit me rrethet, festuan 200-vjetorin e Amerikës. Unë isha në Boston atëherë. Në të vërtetë, ne e festuam ditëlindjen e Amerikës një vit më

parë, sepse kështu vendosi prefekti (Mayor) i Bostonit. Ai e caktoi majin si “muajin e popujve të Ballkanit” për aktivitetet që do të zhvilloheshin në atë kohë. Sidoqoftë, me datën 29 maj 1975, në “New England Aquarium Auditorium” në Boston, u mbajt “Nata Kulturore Shqiptare” (Albanian Cultural Evening), të cilën unë pata nderin ta organizoja, si kryetar i komisionit të mbrëmjes. Me atë rast, me ftesën tonë, erdhi dhe një dërgatë nga arbëreshët e Milfordit, e kryesuar nga dr. Nikola Capece. Jo vetëm kaq, por dr. Capece ishte një nga tre folësit kryesorë të mbrëmjes, së bashku me Anton Athanasin dhe mua”, - përfundon zoti Peter Prifti. Në “Mbrëmjen Shqiptare” morën pjesë personalitete të Bashkisë së Bostonit, amerikanë të tjerë të ftuar si dhe shqiptaro-amerikanët e Bostonit me rrethinat. Miqtë amerikanë ndoqën me vëmendje recitimet, këngët dhe tri fjalimet: “Shqiptarët në Shqipëri”, mbajtur nga prof. Peter Prifti, “Shqiptarët në Amerikë”, mbajtur nga Anton Athanasi dhe “Shqiptarët në Itali”, nga arbëreshi, dr. Nikola Capece. Në fjalimin e tij dr. Capece përshkroi valën e tre emigrimeve të shqiptarëve, gjatë shekullit të 15-të, drejt brigjeve të Italisë, në Kalabri dhe Sicili. Ai nënvizoi se arbëreshët e Sicilisë, ardhur nga Morea, akoma dhe sot (1975)

ruajnë të njëjtën gjuhë, tradita e besim fetar me atë të “Nënës Morea”, si me thënë të “Nënës Shqipëri”. “Qeveria italiane, - tha ai, - nuk i konsideron arbëreshët si grup minoritar, por si qytetarë italianë”. Më tej dr. Nikola foli për jetën e arbëreshëve amerikanë që banojnë në Milford, Mass. “Arbëreshët e

Massachusetts-it, - përmendi ai, - e kanë sjellë me vete në zemrat e tyre Gjergj Kastriotin, Skënderbeun, liderin e madh, të cilin shpesh e krahasojnë me George Washington-in, Atin e Amerikës. Doktor Nikola në fjalimin e tij falënderoi “Vatrën”

dhe filantropistin Anton Athanasin, të cilët ftuan në Amerikë 60 arbëreshë nga Italia. Vëllezërit arbëreshë vizituan Milfordin dhe festuan së bashku me arbëreshet amerikanë në Hoboken Hall, një vend i banuar nga italo-shqiptarët të

emigruar nga Apulia, Itali. Megjithëse kishin vështirësi gjatë bisedimit (një arbëresh nga Apulia e ka të vështirë të komunikojë me një arbëresh nga Kalabria apo Sicilia), ata i afronte gjaku e raca, i bashkonte alfabeti prej 27 shkronjash i

De Radës me të cilin lexonin historitë e shumta për Skënderbeun. “Gjaku shqiptar, - përfundoi doktor Nikola, - vazhdon akoma të vërshojë në venat e arbëreshëve, qoftë dhe mbas 500 vjetësh dhe ne të gjithë jemi krenarë për paraardhësit tanë”.

Duke biseduar me shqiptaro-amerikanët e moshuar të Bostonit, ata kujtojnë se arbëreshët e Milfordit vinin shpesh në festat kombëtare që shtroheshin në restorantet e Anton Athanasit. Ata njiheshin në opinion si “Italo-Albanians”,

frekuentonin tok me italianët kishën romane katolike, por, me kalimin e kohës, filluan të asimiloheshin. Shumë prej tyre e quanin veten italianë megjithëse e dinin origjinën e tyre shqiptare.

Pa përkrahjen dhe interesimin e Shqipërisë, arbëreshët e Amerikës u bënë për 50 vjet pjesërisht viktimë e gabimeve të marrëdhënieve diplomatike midis SHBA-së dhe Shqipërisë, shtoji kësaj edhe ndikimin e procesit normal të humbjes së

ngadalshme, por të pashmangshme të kulturës etnike, gjë që ndodh me grupet e emigrantëve në çdo kohë. Por ata janë e mbeten pjesë e gjakut tonë të shpërndarë, “të shprishur”, siç shprehej me dhembje De Rada. Tek ata sheh sojninë e shqiptarit. Arbëreshët janë e do të mbeten përjetë krenarë, sepse historikisht ata e sollën të parët Skënderbeun në Amerikë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›