E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partia Demokratike dhe të persekutuarit politikë

Dihet se Partia Demokratike ishtenë fi llim një front antikomunist, ana e së cilës përfaqësonte projektinpër ndryshimin e sistemit në udhëkryqin e viteve ‘90. Misioni i saj ishte revolucionar në pikëpamjen e projektit për transformimin e bazës ekonomike dhe superstrukturës. Të dyja këto objektiva do të shoqëroheshin edhe me krijimin e kushteve për një shoqëri të hapur, pasi shoqëria jonë për 50 vjet nën komunizëm kishte qenë thellësisht e izoluar. Natyrisht që të gjitha këto projekte dhe transformime kërkonin një shtresë shoqërore e politike të emancipuar për të bërë të tilla ndryshime. Studentët ishin thjesht një shtresë që e aspironte ndryshimin, por që nuk kishte eksperiencë dhe organizim që ta realizonte këtë hop të jetës së gjithë shoqërisë, duke u vënë kësisoj në krye të PD-së (kujtoni se si u eliminuan nga Sigurimi dhe R. Alia bërthama e A. Hajdarit, Sh. Ramës dhe B. Likës). Këtë nuk mund ta bënin as klasat më të spikatura të shoqërisë sonë si: a) Punëtorët, të cilët janë në përgjithësi në kundërshtim me rendin kapitalist që kërkohej të ndërtohej pasi kjo klasë i qaset për nga natyra barazisë në shpërndarje e pronësisë kolektive publike dhe jo sistemit kapitalist baza e të cilit është shpërndarja sipas aftësive në tregun konkurrues me pronë private, e as b) Pjesa e fshatarësisë së prapambetur kulturalisht e cila ishte shumicë në shoqërinë thellësisht rurale shqiptare të viteve ‘90. Mbetej që këtë transformim ta luante ose shtresa e intelektualëve që kishte studiuar me aprovimin e mbështetjen e sistemit komunist, ose ish “të përndjekurit politikë” që përbëheshin nga të “burgosurit politikë”, të internuarit dhe nga pararoja e vogël e tyre – “ish/politikanët e burgosur”. Këta të fundit ishin elita e asaj pjese të shoqërisë që jo vetëm nuk e kishte dashur komunizmin dhe hisen e fatit që na ra ne shqiptarëve në Rendin e Ri Botëror pas Luftës së Dytë Botërore dhe Konferencës së Paqes së Parisit, por edhe e luftoi këtë fat të zi me gjak, armë në dorë dhe me propagandë. Pjesa e “politikanëve të burgosur” nga shtresa e intelektualëve antikomunistë që kishin mbaruar shkollat në perëndim deri në fillimin e Luftës së Dytë ose u likuidua fizikisht gjatë Luftës Civile 1944-1952, ose u burgos dhe lançua deri në vitet 1952-1960. Kjo kategori u ridënua disa herë për 30-40 vjet rresht deri sa u shua fizikisht në masën më të madhe brenda burgjeve ose gulagëve të internimit me gjithë familjet e tyre. Prej kësaj kategorie të “politikanëve të burgosur”, në fund të viteve ‘80 kishte ngelur një numër shumë i vogël - edhe këta të paorganizuar e fizikisht të rrëgjuar, të paaftë për të qenë kurora e diamantit të Partisë Demokratike. Në ndryshim nga “politikanët e burgosur” ku bënte pjesë elita intelektuale dhe ajo klerikaliste e vendit e viteve ‘40, shumica tjetër e të “burgosurve politikë” të cilët fillimi i viteve ‘90 i gjeti më të rinj në moshë, përbëhej nga fëmijët e pashkolluar të shtresës që nuk përkrahu apo që e luftoi komunizmin. Të pashkolluar ishin edhe të “përndjekurit e tjerë” të regjimit, apo familjarët e dy shtresave të të “burgosurve politikë”. Ndërsa “politikanët e burgosur” ishin të iluminuar dhe mirëarsimuar për kohën e tyre, fëmijët e tyre, “të burgosurit politikë” ishin antikomunistë për shkak të vendosjes në atë pozicion që ju kishte imponuar sistemi, për shkak të vuajtjeve të tyre dhe trajtimit si skllevër, për shkak të vrasjeve dhe maltretimit që ju kishte bërë atyre regjimi i E. Hoxhës, por edhe si rezultat i bindjeve të tyre se ky regjim çnjerëzor nuk ishte produktiv e nuk do të mbijetonte dot përballë konkurrencës me sistemin tjetër më human në perëndim të Perdes së Hekurt që kalonte mespërmes Adriatikut. Por, në “politikanët e burgosur” që filluan të mbushnin burgjet pas viteve ‘55 u rreshtuan edhe disidentët politikë, ose armiqtë brenda llojit dhe fëmijët e tyre nga familjet ish-komuniste. Edhe pse këta kishin hyrë nëpër burgje për shkak të luftës midis klaneve të çakejve brenda bllokut komunist e në rrathët pranë tij e nuk mund të quheshin kësisoj të “burgosur politikë”, në fund të viteve ‘80 kjo shtresë e shkolluar, duke ndjekur trendin pro perëndimor të shoqërive të vendeve të lindjes që ishin nën ombrellën sovjetike, ishte një shtresë e shkëlqyer që mund të drejtonte vendin intelektualisht dhe që mund të shërbente si një amortizator i shkëlqyer midis ish të ‘persekutuarve politikë’ dhe shtresave shoqërore që kishin mbajtur të gjallë mekanizmat vrastare të diktaturës e për të eliminuar një luftë të dytë civile e ndjenjën për revansh që mund të lindte (në Shqipëri mungoi kjo sjellje për hakmarrje edhe pse ata që kishin drejtuar sistemin kurrë nuk kërkuan falje, të trimëruar ngaqë kishin në krye Berishën). Por edhe kjo shtresë me pinjoj të tillë si S. Ngjela, F. Lubonja etj, nuk ishte në gjendje të organizohej në një pozicion politik komandues të djathtë ose për shkak të bindjeve ideologjike (tipa si F. Lubonja janë të majtë në bindje dhe ata edhe pas viteve ‘90 shiheshin ende si armiq nga enveristët e mirë organizuar në PS), ndërsa tipa si S. Ngjela që evokonin hapur vlerat e shoqërive kapitaliste liberale më tepër ishin zhurmaxhinj dhe patetikë se sa organizativë fjalëpakë e punë shumë. Për shkak se PD-në e krijoi R. Alia dhe u udhëhoq nga pardesytë e bardha të intelektualëve të lidhur edhe me Sigurimin e Shtetit, ish të ‘burgosurit politikë’ dhe disidentët me prototip S. Ngjelën u luftuan shumë kollaj brenda radhëve të PD-së e cila udhëhiqej nga R. Alia dhe Sigurimi i Shtetit (kini parë ndonjëherë p.sh z.Berisha në këto 20 vjet, sa herë që ai ka kontrolluar mazhorancën parlamentare, të luftojë për hartimin e ligjeve për t’i larguar ish-hafijet e Sigurimit të cilët i ka me shumicë ende në PD dhe administratën e lartë shtetërore?). S. Berisha në vitet ‘90 e dinte që bërthama detonatore e PD do të ishin të persekutuarit politikë dhe rinia. Gjithashtu, ai u përpoq që në figurat drejtuese të PD-së do të duheshin edhe disa emra nga familjet e mëdha, antizogiste si Butka, Toto, etj. Në fillimet e udhëtimit të tij drejt rrugës si demokrat, z.Berisha ishte një simpatizant i madh idiot i Lëvizjes së Qershorit, për shkak të bindjeve të tij të majta. Këto bindje z.Berisha po i tradhtonte në vitet ‘90 për tu bërë pragmatist. Filozofia e tij filloi të udhëhiqej nga arti i të mbijetuarit. Ai nuk përtonte aspak t’i thoshte derrit dajë, kur këtë ja kërkonte puna. Duke u konvertuar në vitet ‘90 nga komunist në fannolist, z.Berisha mbeti një antizogist dhe antiballist. Duke mos e kuptuar në thellësi atë që kishte ndodhur në Luftën e Dytë Botërore, ai vazhdon edhe sot të dergjet në mugëtirën e historisë, së bashku me një tokicë historianësh mediokër gjysëmkomunistë e gjysëm zogistë që e rrethojnë. Ai nuk mund t’i afrohet edhe sot Mukjes e t’i largohet ‘vlerave’ të Konferencës së Pezës. Qasja e tij ndaj Ahmet Myftar Zogut nuk bëhet nga ndonjë ndryshim bindjesh ideologjike të z.Berisha, por për shkak të ‘ideologjisë’ së tij të pragmatizmit. Ai e ka kuptuar me vonesë se, për shkak të martesës së A.Zogut me konteshën aristokrate hungarezo-amerikane G.Apponyi de Nagy-Apponyi, familja Zogu sot është në Komitetin e 300-ve dhe hyn në elitën botërore. Për këtë atij i mjafton Peza ku zogistët bashkëpunuan dhe u mashtruan nga britanikët dhe jugosllavët për të luftuar dhe derdhur gjakun e humbur për projektin që Shqipëria të hynte si Republikë e shtatë nën ish-Jugosllavi. Flamurtarë të kësaj nisme natyrisht që ishin me bindje komunistët shqiptarë dhe kryelakeu jugosllav, E.Hoxha.
Por z.Berisha vazhdon të ngelet një barrierë e fortë edhe sot, si në fillim të viteve ‘90, ndaj ish-studentëve idealistë të dhjetorit, ndaj ish të persekutuarve politikë dhe ndaj ish-disidentëve të burgosur si S. Ngjela. Këta të fundit i largoi se nuk e duronte dot prepotencën dhe kryelartësinë e tyre për shkak të hierarkisë më të lartë që këta kishin pasur në Bllok. Ndërsa të parët i konsideronte si ujku delet. Ja shikoni nëpër festa dhe përkujtimore të PD-së, a ka ai ndonjë nga këto shtresa? A ka ai ndonjë bashkëthemelues të PD-së? A nuk është ai një enverist tipik për nga sjellja me ish-bashkëthemeluesit idealistë naivë të cilët i përdori dhe i flaku në mënyrën më të pamëshirshme? Ka ndonjë që nuk e di se në PD pushtetin gjithmonë e ka pasur një shtresë që vinte nga shtresat enveriste që e ushqyen për 50 vjet diktaturën me kërmë shqiptarësh antikomunistë? A ka ndonjë që nuk e di se edhe këto 8 vjet në PD ka funksionuar një strukturë e udhëhequr nga gjysëm gorani Flamur Noka (ky person u arratis në fund të viteve ‘80 në ish-Jugosllavi dhe pasi u rikthye në Shqipëri, u ridërgua në fakultetin e mjekësisë përsëri nga regjimi i R. Alisë!!!) e cila parafiltronte për familjen biologjike të kryeministrit emrat e atyre që do të furnizonin me gjak të ri strukturat e PD-së dhe të administratës, fakt i cili e bëri këtë person edhe ministër të Brendshëm? Si shpjegohet që në shumicën e saj absolute PD është e mbushur me njerëz si Flamuri, Fatos Hoxha (familje komuniste dhe sigurimsash nga nëna, dajoja i të cilit ka arrestuar F. Lubonjën ), Ardian Kollozi (gjyshi i këtij ka qenë ekzekutor dhe pushkatar i diktaturës komuniste në Vlorë), Dash Sula (ish-prokuror) dhe I. Rusmali (djalë nomenklature dhe dhëndër i Sigurimit)? Si shpjegohet që sot nuk ekziston në elitën e PD-së asnjë pasardhës nga familjet e mëdha që goditi regjimi i E. Hoxhës? Si shpjegohet që Flamuri nuk la asnjë student të dhjetorit pa e filtruar dhe asnjë pinjoll të familjeve të persekutuara nga regjimi komunist që të ngrihej në PD dhe në administratën e lartë të qeverisë blu? A mund të imagjinonte kush në vitet ‘90 se z.Berisha, ky ‘liberator’ i madh i pangopur ende me pushtet dhe me asete, do të bëhej një pengesë kaq e madhe dhe e rrezikshme për demokracinë pas 22 vjetëve? A mund të imagjinonte kush se ky neodiktator që kishte mbajtur për dy dekada teserën e PPSH me nr.108690 do të rrihte më keq se E.Hoxha ish të burgosurit politikë si Skënder Tufën e shokët e tij pse i hodhën simbolikisht një dorë miell mbi makinë, me një qese ku spikaste qëllimisht flamuri amerikan? Skënder Tufa, në aktin e tij brilant përfaqësonte rreth 27 mijë burrat dhe 7,500 gratë e këtij vendi që kishin qenë si ai të burgosur; ai përfaqësonte mbi 7,000 të persekutuarit të vdekur në internim; S. Tufa kishte mbi shpatullat e tij rreth 914 mijë vite burgje të shtresës së tij si dhe 257 mijë vite internim. Ai përfaqësonte djersën e derdhur me kova në minierat e kromit me të ardhurat e të cilëve ju dha bursa dhe studioi studenti tropojan S. Berisha, G. Ruli, G. Pollo e R. Bode; ai përfaqësonte djersën, gjakun dhe lotët e derdhur nga vëllezërit e tij në fabrika, hidrocentrale, pallate në të katër anët e Shqipërisë, në ato objekte të cilat sot po i shet kryeministri S. Berisha pa ju njohur të drejtën kësaj shtrese për të qenë aksionerë të këtyre objekteve mbi të cilën kanë derdhur djersë të papaguar. Ai përfaqësonte atë shtresë për të cilën çdo çakall i qeverisë blu skërmitet që ja u hodhën paq për 8 vjet duke ju folur si komunistët me parafjalët e tyre të dashura ‘do të’ që premtojnë vetëm për të ardhmen. S. Tufa nuk do mëshirë, do drejtësi. S. Tufa e ndjen se janë mashtruar nga takëmi i tipit Berisha, nga Gencët, Flamuri, Fatosi, Iliri, Ardian Kollozi e D. Sula. Revolta e tyre ngjall respekt. Takëmi i neoenveristëve blu në pushtet ngjall neveri kur të gjithë këta megalomanë duken aq të vegjël përpara Skënderit të parruar, të pahekurosur e me syzet e tij të rritura në numër për shkak të kequshqyerjes dhe sëmundjeve që sjell vuajtja fizike dhe morale. Kjo shtresë tashmë nuk mashtrohet. PD-së që ngjan me një lavire plakë po i ikin të gjithë klientët. Ajo do të jetë një e vetmuar e madhe në pranverën e ardhshme dhe nuk do të ketë truk e as financa të fuqishme që do ta shpëtonin. Sado që të blindohet në prag të zgjedhjeve me militantë kumarxhinj ish-komunistë, qeveria blu do të falimentojë sepse ajo nuk ka me vete studentët, nuk ka ish të persekutuarit, ish pronarët - bërthamën që e krijuan atë në vitet ‘90. PD është një parti amorfe, mafioze. Ajo ka me vete banditë që janë drejtora narkotrafikantë.
Çështja shtrohet se në cilin kamp do të rreshtohet këto muaj neodiktatori Berisha nën trysninë e ndërkombëtarëve: Në anën e demokracisë e stabilitetit të sistemit apo në anën e modelit të zgjedhjeve të vitit ’96. A e kuptojnë këtë takëmet e Flamurit që mund të përdoren si mish për top pas zgjedhjeve?

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›