Partia Demokratike rrëzon alibinë për shkarkimin e Topit
Kuvendi mblidhet, nëse Topi sjell kandidaturën
Partia Demokratike rrëzon çdo alibi të ngritur për shkarkimin e kreut të shtetit Bamir Topi. Mazhoranca qeverisëse nuk do të ndërmarrë asnjë nismë ligjore që do të çonte në shkarkimin nga detyra të Presidentit aktual, Bamir Topi. Kjo, pavarësisht se PD-ja po e akuzon atë për shkelje të Kushtetutës së vendit. Shkak është bërë mosrespektimi i afateve ligjore për ti propozuar Kuvendit kandidaturën për kryetar të ri të Gjykatës Kushtetuese. Ndaj, Kuvendi do të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme, vetëm nëse kreu i shtetit, Bamir Topi, propozon kreun e ri të Gjykatës Kushtetuese. Deputeti demokrat Eduard Halimi sqaroi dje nismën ligjore, sipas tij, të aluduar nga mediat, duke konkretizuar se bëhet fjalë për një qëndrim racional të shumicës parlamentare, për të kërkuar mbledhjen e Kuvendit edhe gjatë muajit gusht, mjafton që Presidenti i Republikës të dekretojë kreun e ri të Kushtetueses. Sekretari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike edhe njëherazi deputeti Eduard Halimi përgënjeshtroi dje keqinformimet, sipas tij, të artikuluara nga media elektronike dhe e shkruar lidhur për të ashtuquajturin aksion ligjor për zgjedhjen e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Halimi tha se PD është e gatshme të kërkojnë mbledhjen e Kuvendit në një seancë të posaçme gjatë muajit gusht, pasi kreu i shtetit të dekretojë kreun e ri të Kushtetueses. Ai mohoi në mënyrë kategorike çdo aludim tjetër. Në titujt e medias së shkruar, është përmendur një deklaratë nën emrin tim, për ndërmarrjen e një aksioni ligjor për zgjedhjen e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Por, kjo deklaratë nuk është përmendur, thënë apo shkruar nga ana ime në asnjë rast. Ajo që është deklaruar prej meje, gjendet e qartë në brendësi të gazetave. Dua të informoj median e shkruar dhe atë vizive se e gjithë fjalia e përmendur në intervistë ka të bëjë me mbledhjen e Parlamentit në një seancë vetëm në rast se Presidenti i Republikës do të sjellë emrin për kryetarin e Gjykatës Kushtetuese para muajit shtator dhe se ekzistojnë të gjitha mjetet dhe mekanizmat që Gjykata Kushtetuese të rivendoset në kuadrin kushtetues në rast se një veprim i tille do të ndodhë, - u shpreh deputeti demokrat dhe anëtari i Komisionit parlamentar të Ligjeve, Eduard Halimi. Sipas tij, gjithçka tjetër krahas këtij qëndrimi dhe deklaratës për shtyp të dhënë disa ditë më parë nuk paraqesin në mënyrë reale qëndrimin e tij në lidhje me kërkesën për respektimin e Kushtetutës së vendit nga të gjithë dhe respektimin e plotë të mekanizmave reale që ajo parashikon. Ajo që paraqitet në titujt e sotëm të gazetave, nuk është reale dhe është e nxitur nga komercializmi ose keqkuptimi, - tha z.Halimi.