E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partia Socialiste: Si do të qeverisim pas 28 qershorit

Partia Socialiste zhvillon Konferencën Kombëtare të Programit qeverisës. Hartuesit dhe ekspertët prezantuan prioritetet kryesore të qeverisjes së ardhshme

Shaban Sulçe

Partia Socialiste ka zhvilluar dje Konferencën Kombëtare të Programit, në të cilën janë shpalosur pikat kryesore të programit qeverisës së PS-së në rast të fitores në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Prezantimi i prioriteteve kryesore të programit qeverisës është bërë nga hartuesit dhe ekspertët më të mirë të Partisë Socialiste, përpara mijëra të pranishmëve që kishin mbushur ambientet e Pallatit të Kongreseve. Në sallë ka qenë i vendosur dekori “Politikë e re për ndryshim”, që është slogani i PS-së, ndërkohë që në të dëgjohej kënga e grupit “West Side Family”, e cila do jetë edhe kolona zanore e fushatës elektorale të Partisë Socialiste. Të pranishmit në këtë takim, anëtarë të Partisë Socialiste, të cilët kishin ardhur nga të 12-të qarqet e vendit, kanë shprehur entuziazmin për fitoren. Ovacionet e tyre kishin përmbajtje fjalët “Ndryshim”, “Fitore” dhe “Edi Rama kryeministër”.

Beqja
Nënsekretari për Programin, Ilir Beqja, tha se qeverisja socialiste do të garantojë mbulim universal me shërbim shëndetësor për të gjithë shqiptarët. Ai tha se ndryshimi në sistemin shëndetësor do të realizohet pas krijimit të shërbimit të ri shëndetësor kombëtar. Beqja theksoi se shërbimi shëndetësor që do të ngrejë qeverisja e ardhshme socialiste do të shtrihet në të gjithë vendin. Sipas tij, spitalet do të jenë jo vetëm vende ku qytetarët mjekohen, por edhe vendi ku zhvillohet kohezioni social i shoqërisë sonë dhe provohet eficenca e shërbimeve publike. Beqja shtoi gjithashtu se kujdesi për shëndetin e nënës dhe fëmijës do të jetë një prioritet i veçantë.

Malaj
Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, u angazhua se qeverisja e ardhshme socialiste do të rivendosë menjëherë marrëdhëniet e bashkëpunimit me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Malaj tha se qeverisja e ardhshme socialiste në fushën ekonomike do të angazhohet për ritme të larta të rritjes ekonomike, për uljen e papunësisë si dhe një kohezion social më të plotë. Ai renditi gjithashtu angazhimin për uljen e inflacionit, për aplikimin e politikave fiskale që nxisin modernizimin e ekonomisë, si dhe uljen e papunësisë në vend. Malaj premtoi gjithashtu edhe reduktimin e deficitit buxhetor dhe të borxhit publik.

Gjermeni
Englantina Gjermeni prezantoi prioritetet e programit qeverisës së Partisë Socialiste për çështjet sociale. Ajo tha se PS-ja synon një qeverisje të mirë, që u përgjigjet nevojave të shoqërisë, që nxit politika sociale proaktive, të cilat synojnë fuqizimin e individëve, efikasitet edhe drejtësi sociale. “Përmes këtyre politikave synohet të zgjerohet aksesi në punësim, arsimim, shërbim shëndetësor dhe shërbime sociale, pavarësisht nga mundësitë financiare të individëve, gjinia, mosha apo vendbanimi. Dhënia prioritet grupeve më në nevojë si fëmijët, gratë, të moshuarit, individët me aftësi të kufizuara etj., bën të mundur që të arrihet de facto një shoqëri e mundësive të barabarta”, - tha Gjermeni.

Ervin Bushati
Ervin Bushati prezantoi prioritet qeverisëse të Partisë Socialiste për fshatin dhe bujqësinë. Ai tha se Partia Socialiste ka prioritet bujqësinë dhe se politika e re e zhvillimit synon transformimin e bujqësisë nga një aktivitet mbijetese në një sektor modern në një ekonomike të hapur. Sipas tij, objektivat e zhvillimit të Partisë Socialiste janë tre. Së pari, rritja e mirëqenies në fshat dhe garantimi i pronës dhe i sigurisë social-ekonomike. Së dyti, mbështetja e prodhimit vendas nëpërmjet zhvillimit, profilizimit dhe konsolidimit të biznesit agrar në një treg funksional. Biznesi agrar do të përjashtohet nga taksat për 3 vite. Objektivi i tretë është rritja e ekonomisë rurale me aktivitete të tilla, si: agroindustria, turizmi, bimët e egra dhe medicinale, produktet bio dhe artizanale, peshkimi, pyjet, gjuetia dhe agroturizmi.

Seseri
Rudina Seseri tha se duke vendosur punën dhe punësimin në qendër të alternativës së re ekonomike, qeverisja e ardhshme e PS-së do t’i jap zgjidhjen e duhur problemit që shqetëson më shumë shqiptarët sot: punësimi dhe dalja nga varfëria. “Uljen e papunësisë ne e shohim si mjetin kryesor për të luftuar varfërinë në këtë vend. Punësimi është motori bazë për zhvillimin e Shqipërisë. Alternativa jonë për zhvillimin e Shqipërisë, do ta ulë papunësinë në nivelin njëshifror, 9%; do të përgjysmojë nivelin e papunësisë në fshat dhe deri në fund të mandatit tonë, do të bëj të prekshme 197 000 mundësi të reja punësimi”, - tha Seseri. Ajo tha gjithashtu se Partia Socialiste synon që t’i krijojë lehtësira maksimale biznesit.

Baraj
Besnik Baraj tha se mjedisi përbën një prej çështjeve më serioze në vend për Partinë Socialiste. Ai u shpreh se qeverisja e ardhshme socialiste synon integrim të komponentes mjedisore në politikat ekonomike të zhvillimit të vendit, duke ndikuar pozitivisht në drejtimin, koston dhe ritmet e ecurisë ekonomike, shëndetit të popullit dhe sigurisë kombëtare. Baraj shtoi gjithashtu se programi qeverisës i PS-së parashikon mbrojtjen e mjedisit me një përqasje të re, duke e konsideruar dhe menaxhuar atë në mënyrë integrale, në bashkëpunim me qytetaret, ekspertët, organizatat mjedisore, sistemin tonë arsimor, median dhe biznesin privat. Ai shtoi se qeverisja e ardhshme e PS-së synon arritje të standardeve mjedisore, për rehabilitimin e zonave të ndotura, të pyjeve, për uljen e ndotjeve në ajrin urban, në ujërat sipërfaqësore dhe për zvogëlimin e erozionit, si parakushte për të realizuar me sukses integrimin në Bashkimin Europian.

18 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›