E Diel, 1 Nëntor 2026

Ditmir Bushati: Në 2010-n shqiptarët do të udhëtojnë pa viza në hapësirën “Shengen”



Ditmir Bushati tha se qeverisja e ardhshme socialiste do të mundësojë që shqiptarët të lëvizin pa viza në hapësirën “Shengen” brenda vitit 2010. “Ne do të bëjmë realitet ëndrrën europiane të shqiptarëve për të lëvizur pa viza në hapësirën ‘Shengen’ brenda vitit 2010, duke përmbushur me rigorozitet 42 standardet e trupëzuara në Udhërrëfyesin e Liberalizimit të Vizave që kanë të bëjnë me: sigurinë e dokumenteve, migracionin ilegal, menaxhimin e integruar të kufijve dhe politikat e ripranimit, rendin publik dhe sigurinë përmes luftës ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, bashkëpunimit gjyqësor në çështjet penale dhe shtrëngimit të ligjit. Lëvizja e lirë brenda hapësirës ‘Shengen’ do t’u krijojë mundësi të jashtëzakonshme studentëve dhe kërkuesve shqiptare për të përfituar nga programet e shkëmbimit me universitetet europiane, do t’u krijojë mundësi sipërmarrësve shqiptarë të eksplorojnë tregun rajonal dhe atë europian, duke konkurruar denjësisht me shërbimet e tyre. Mbi të gjitha, do t’u krijojë mundësi qytetarëve shqiptarë të njohin më mirë e të përqafojnë vlerat europiane”, - tha Ditmir Bushati.

Shamku: “Arsimi, prioriteti i buxhetit të qeverisjes”

Prezantimin e programit qeverisës së PS-së për arsimin e ka bërë kryetarja e komisionit të arsimit në Partinë Socialiste, Ledi Shamku. Ajo tha se qeverisja e ardhshme e Partisë Socialiste synon një arsim që garanton punësim, që garanton shpërblim real të punës së arsimtarëve, që siguron unifikim të programeve shkollore me programet europiane, te një arsim që do të jetë prioriteti i buxhetit të qeverisjes së ardhshme. “Ky vend lyp forcë për të larguar plogështinë mbytëse të tranzicionit, ky komb lyp dritë për ta mposhtur muzgun e injorancës dhe inferioritetit”, - tha Shamku.

18 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›