E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partia Socialiste feston 20-vjetorin e krijimit

Partia Socialiste festoi të dielën në mbrëmje 20-vjetorin e krijimit të saj në një ceremoni festive në Hotel Sheraton, ku ishin të pranishëm personalitete të larta të saj në vite, deputetë, intelektualë, përfaqësues të trupit diplomatik, të partive politike, mbështetës të PS-së, etj.
Në fjalën përshëndetëse, kryetari socialist, Edi Rama, tha se në përvjetorin e 20-të të saj PS i ka të gjitha arësyet të ndihet krenare se vijimësisht është pozicionuar në anën e duhur të historisë.

"Ne jemi partia që bëjmë gjënë e duhur për interesin kombëtar, që respektojmë të gjithë shqiptarët si qytetarë të barabartë në liritë e të drejtat e tyre, jemi partia që jetojmë duke u munduar të ndryshojmë për mirë, për të ndryshuar për mirë Shqipërinë", u shpreh kreu socialist.
Ai theksoi se ndonëse historia e kësaj partie është e mbushur me ngjarje interesante e personazhe nga më të ndryshmet, dritë-hijet e rrugës 20-vjeçare të saj dëshmojnë se në PS nuk ka munguar asnjëherë liria. "Është pikërisht përmasa e lirisë me të cilën jeton çdo anëtar i kësaj partie të madhe dhe forca jonë për të rezistuar sot si opozitë ndaj çdo sulmi që i bëhet lirisë së çdo qytetari", u shpreh Rama.
Rama përshëndeti në mënyrë të veçantë njërin prej themeluesve të PS-së Dritëro Agollin, mikun e shtrenjtë të PS-së duke theksuar se në momentin e themelimit ai mbajti një fjalim shembull.

Por në ceremoninë e sotme festive mungonte ish-kryetari i parë i PS-së dhe ish-kryeministri, Fatos Nano dhe Ilir Meta, njëri prej themeluesve të saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›