E Shtunë, 31 Tetor 2026

Futboll shkelqen Granit Xhaka

Janë të dy me origjinë shqiptare, të dy të lindur në Gjilan të Kosovës, ndërsa janë shpresat e mëdha të Zvicrës. Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, ende tepër të rinj, do të përpiqen që skuadra e zviceranëve 21-vjeçarë të fitojë titullin europian në kampionatin që sapo ka nisur, apo të paktën të paraqitet sa më mirë.

Ndërsa Shaqiri njihej që më parë, për gola të shënuar në Champions League me Bazelin dhe në kombëtaren zvicerane të të rriturve në portën e Anglisë, Granit Xhaka 18-vjeçar është shkëlqimi më i fundit. Një lojtar i shpejtë dhe i talentuar, futbollist që zuri vend në 11-in e Zvicrës në “Ëembley” në ndeshjen e barazuar 2-2 ndaj Anglisë vendase në kuadër të eleminatoreve të Euro 2012.

Trajneri gjerman i Zvicrës Hicfeld ka shumë besim tek lojtari i Bazelit, ndërsa Udineze në Serinë A ka nisur të interesohet fuqishëm për të. Me 6 gola në 11 ndeshje tek Bazeli, Xhaka jep garanci dhe klubi italian njihet mirë për aftësinë për të piketuar dhe kontraktuar lojtarë të rinj dhe të talentuar, për të përfituar miliona më pas nga transferimi i tyre.

Xhaka, ashtu si Shaqiri, ka zgjedhur të përfaqësojë Zvicrën, ndërsa edhe Shqipëria u interesua për të, kurse Kosova ende nuk njihet nga UEFA dhe FIFA ndaj përfaqësuesja e shtetit më të ri në Europë nuk mund të marrë pjesë në gara zyrtare.

Për momentin, duhet të kënaqemi që talente të tillë të mëdhenj të shkëlqejnë duke folur shqip dhe duke qenë të lindur në troje shqiptare.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›