INSTAT: Në maj u rritën çmimete e ilaçeve, karburantit dhe ushqimeve
Jetesa po bëhet gjithnjë e më e vështirë edhe pse çmimet e mallrave të konsumit kanë shënuar një ulje të lehtë gjatë muajit maj 2010. Instituti i Statistikave bën të ditur se inflacioni gjatë këtij muaji ka arritur në 3.1 për qind, ku krahasuar me muajin prill çmimet rezultojnë të jenë ulur. Dalja në treg e prodhimit vendas ka bërë që grupi i zarzavateve përfshirë dhe patatet të pësojnë uljen më të madhe me afro 17. 5 për qind. Ndërkohë që ulje çmimesh janë vërejtur edhe në nëngrupin e ushqimeve si sheqer, bulmetet, mish etj. Ndërsa rezulton se grupi i frutave ka pësuar një rritje të çmimit. Por të sëmurët e kanë ndjerë vetën edhe më keq, pasi ilaçet e domosdoshme për shëndetin e tyre janë shtrenjtuar me 1.7 për qind. Gjatë muajit maj nuk është ndalur as rritja e mëtejshme e çimit për karburantet. Nafta dhe benzina u rrit përkatësisht 2.3 dhe 2.1 për qind. Sipas të dhënave të INSTAT-it, ndryshimi vjetor i Indeksit të Çmimeve të Konsumit (IÇK) në muajin maj (maj-2010/maj-2009) është 3.1 për qind, ndërkohë që një vit më parë ky ndryshim ishte 2.1 për qind. Treguesi i çmimeve për grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” shënoi një ulje prej 3.0 për qind. Brenda këtij grupi, ulja më e madhe prej 17.5 për qind vërehet në nëngrupin “zarzavate përfshirë patatet”. Ulje çmimesh vërehen edhe në disa nëngrupet e tjera të si, “sheqer dhe ëmbëlsira” me 0.7 për qind”; “mish” 0.3 për qind; “qumësht djathë e vezë” në masën 0.2 për qind. Ndërsa çmimet në nëngrupin ”fruta” shënuan një rritje prej 0.5 për qind. Ndërkohë, produktet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” shënuan një rritje prej 0.6 për qind, brenda të cilit çmimi i duhanit u rrit me 0.8 për qind.
9 Qershor 2010