Partia e Petroviçit e gatshme për koalicion me Thaçin

Kryetari i Partisë të Pavarur Liberale, Sllobodan Petroviç, ka deklaruar se kjo parti e serbëve të Kosovës është e gatshme të hyjë në koalicion me PDK-në e Hashim Thaçit, që do të ishte mandati i dytë me radhë i kësaj partie në koalicion me partinë e kryeministrit të Kosovës, raporton gazeta serbe “Blic”.
“Përvojat e mira, të cilat i kemi pasur në mandatin e fundit në institucionet e Kosovës me partitë në pushtet, në një masë të madhe do të na ndihmojnë që në fund të jemi pjesë e qeverisë së re. Në çdo rrethanë, ajo çka është e rëndësishme dhe shumë e qartë te Partia e Pavarur Liberale është vendosmëria që të përkrahim parimet politike, të cilat janë të bazuara në vlerat evropiane”, ka thënë Petroviç.
Mandati i SLS-së, ka thënë Petroviç, është që “të përfaqësojmë dhe të artikulojmë problemet e bashkësisë serbe dhe të gjithë të tjerëve që jetojnë në Kosovë”, dhe ka shtuar se “kemi shumë arsye që të pranojmë të jemi pjesë e qeverisë së ardhshme të Kosovës”.
Në këtë parti, sado që ende nuk ka rezultate përfundimtare të zgjedhjeve, presin që në Parlamentin e Kosovës të kenë më të paktën 9 deputetë. Petroviç beson se klubit të deputetëve të SLS-së do t`i bashkëngjiten edhe serbët e tjerë dhe deputetë të bashkësive të tjera, që do të përbënte grupin prej 15 deputetëve.
Duke komentuar raportin e Dick Martyt për tregtinë e organeve në Kosovë, Petroviç ka thënë se bëhet fjalë për akuza të rënda.
“Këtu është fjala për akuza serioze, por në këtë rast ne duhet të jemi në anën e tyre që thonë se secili është i pafajshëm, ndërsa nuk dëshmohet e kundërta”, ka thënë Petroviç.