E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partia e Ramës, me huliganë dhe hajdutë

13-03-2013 / Gazeta 55

Në partinë e Edi Ramës s’ka më vend për platforma e ide politike. Vendin e intelektualëve e kanë zënë huliganët dhe hajdutët, të cilët paguajnë 20 përqindëshin tek kryetari dhe bëjnë ligjin mbi listat e deputetëve. Sipas shembullit të Edvinit, kryekomunari socialist i Dajçit vodhi ditën për diell 6 automjete, ndërkohë që Elvis Rroshi e Dritan Bici po ndiqen si shembuj nga shumë kryebashkiakë të majtë, të cilët kanë vendosur terrorin mbi organizatat socialiste

Intelektualët janë larguar nga Partia Socialiste. Vendin e tyre në partinë e drejtuar prej Edi Ramës e kanë zënë ca huliganë dhe hajdutë të certifikuar nga organet kompetente. Përfaqësuesit vendorë socialistë janë shëmbëlltyra të vërteta të prurjeve të reja Edi Ramës në Partinë Socialiste. Nuk është vetëm Elvis Rroshi dhe Dritan Bici, dy kryetarë bashkie, por dhe ish-kryetari i komunës Dajç, Rrok Rroku që po nxijnë imazhin e Partinë Socialiste me veprimet e tyre të paligjshme në sytë e opinionit publik.
Kryebashkiaku i Gramshit, Dritan Bici hyri në stadium me makinë duke çarë rrjetën dhe shkatërruar portën e futbollit.
Kryebashkiaku i Kavajës Elvis Roshi zbriti në fushat e zhveshjes së bashku me ca huliganë për të fyer dhe goditur trajnerin e Tiranës, Nevil Dede.
Ish-kryetari i komunës Dajç në Lezhë Rrok Rroku i përmendur nga Edi Rama si kampion i votës së lirë dhe si njeriu që nuk mbyllte sytë, në fakt paska mbyllur sytë duke përvetësuar të paktën 6 automjete, donacioneve të shoqatave të huaja, çka e kanë çuar në prangat e policisë. Krimi ekonomik në drejtorinë e policisë në Lezhë ka provuar vjedhjen e këtyre automjeteve nëpërmjet shkresave që janë sekuestruar në këtë njësi vendore, ndërsa ndaj Rrokut është dhënë edhe masa e sigurimit personal “arrest me burg” për akuzën e korrupsionit dhe vjedhjes të kryer duke shpërdoruar detyrën. Burime nga policia e Lezhës bëjnë të ditur se gjatë kohës që Rroku ushtronte funksionin e kreut të komunës Dajç ka marrë një fadromë, një autobus dhe disa furgonë, por që nuk u vunë asnjëherë në shërbim të komunitetit, por janë shitur dhe shuma e përfituar është përvetësuar nga Rroku.
Gjithashtu të gjithë mbajnë mend ngjarjen e ish-kreu i komunës Dajç, në Lezhë, Rrok Rroku I cili humbi zgjedhjet e 8 majit 2011 si përfaqësues i Partisë Socialiste, ndërsa akuzoi kandidatin e djathtë për manipulim të zgjedhjeve. Por Rrok Rroku i cilësuar si hero syçelët i Edi Ramës në Lezhë paska hapur sytë jo vetëm për votën e lirë por edhe për automjetet e komunës Dajç. Në një forum, “Në Europë përmes zgjedhjeve të lira”, të datës 6 dhjetor 2012 të organizuar në Lezhë, Edi Rama do të shprehej se, “duke dëgjuar Rrokun që fliste vërtet ishte entuziazmuese, sepse ajo çka i bën zgjedhjet më të lira dhe më të ndershme është vullneti për të mos i mbyllur sytë dhe për të mos u dorëzuar përpara deformimeve të tyre. Do vazhdoj duke cituar heroin e mbrëmjes i cili tha që ‘beteja më e vështirë, dueli më i vështirë është dueli me derrin sepse derri të tërheq në baltë”.
Afërmendsh nga kjo del në fakt, në sajë të hetimit të policisë dhe prokurorisë, se derri e paska tërhequr Partinë Socialiste në baltën e vjedhjes së donacioneve të huaja. Heronjtë e Edi Ramës janë anti-heronj realë, njerëz që përfaqësojnë dhunën dhe vesin e përvetësimin në mënyrë të paligjshme. Partia Socialiste nuk ka nevojë të përfaqësohet në komunitetin e Gramshit, Kavajës apo Dajçit me personalitete të kalibrit të Dritan Bicit, Elvis Rroshit apo Rrok Rrokut.
Është Edi Rama që ka nevojë për këta antiheronj sepse e bëjnë të ndjehet më rehat i rrethuar me huliganë dhe hajdutë. Ky është morali dominant në PS. Kjo është opozita që pretendon se do të vijë në pushtet me 23 qershor.  Karta e saj morale për rilindjen e Policisë digjet kur të përzgjedhurit e kreut të PS, Elvis Roshi, Dritan Bici dhe Rrok Rroku përfundojnë në polici. Ashtu si Edi Rama kërkoi me dhunë të bëhej kryeministër me 21 janar, po ashtu  Elvis Roshi dhe Dritan Bici, me dhunë kërkonin të fitonin ndeshjet në Gramsh e Kavajë. Dhe mbrojtësi i votës së lirë në Lezhë doli të ishte veçse mbrojtësi i pasurisë së tij të vënë në mënyrë jo ligjore. Kjo është Rilindja!

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›