Partia e re, Malaj takon Fatos Nanon

Malaj dhe Nano
Anëtari i Kryesisë socialiste, Arben Malaj dhe ish-kreu i PS, Fatos Nano, kanë qenë dje në një drekë miqësore mes tyre. Dreka është zhvilluar te vila Alejandro, pranë Ambasadës Amerikane, ndërsa restoranti nuk ka pasur shumë njerëz në atë kohë. Asnjëri prej bashkëbiseduesve nuk dha dje detaje rreth temave të zhvilluara, por si politikanë, kuptohet që në qendër ka qenë situata politike në vend. Kjo situatë vazhdon, edhe pse u krijua përshtypja që me hyrjen e deputetëve socialistë në Parlament, do të niste puna për miratimin e ligjeve të bllokuara prej shumë kohësh dhe përmbushjen e prioritete të BE-së. Si dy socialistë të vjetër, në qendër të bisedës ka qenë dhe situata e brendshme në Partinë socialiste, e cila, në këtë periudhë ndodhet në proces zgjedhor të të gjitha strukturave, me përjashtim të kryetarit të saj, Edi Rama dhe krerëve të rretheve që u zgjodhën një vit më parë. Dreka mes dy figurave të njohura të së majtës, ish-kryeministrit dhe ish-ministrit të Financave, u zhvillua dhe një ditë pas dorëzimit nga Komisioni Europian i progres-raportit të Shqipërisë dhe mosrealizimit të 12 prioriteteve për të marrë ftesën e vendit kandidat. Rrëzimi i Shqipërisë për herë të dytë nga Komisioni Europian për integrimin e vendit për në BE, e shprehur në progres-raport, bën përgjegjëse klasën politike shqiptare dhe krizën politike në dy vitet e fundit. Kjo duket se ka shqetësuar dy politikanët, të cilët e kanë vënë këtë çështje në qendër të bisedës së tyre. Por, situata e brendshme në PS duhet të ketë qenë kryetema e bisedës së tyre, pasi ajo është bërë dhe shkaku i nisjes së turit të bashkëbisedimeve të Arben Malajt në qytete kryesore të vendit me të rinj dhe të socialistë. Në platformën e tij të paraqitur para të rinjve, Malaj kërkon hapjen e PS, modernizimin e saj, ndarjen e mandateve të të zgjedhurve të socialistëve dhe kufizimin e mandateve të kryetarëve qendrorë dhe lokalë të saj. Platforma e Malajt, e cila është pritur pozitivisht në bazën socialiste, është vlerësuar dhe nga faktori ndërkombëtar në Tiranë, të cilët janë njohur me të disa javë më parë. Platforma është parë si kyçi i hapjes së partive politike që do të çojë në rritjen e demokracisë së tyre. Por, zgjedhjet në PS, përzgjedhjet e delegatëve të kongresit, për të cilët Malaj është shprehur në takimin e fundit në Vlorë se do të miratohen në Kryesinë e PS, duket se ka sjellë shqetësim për një frymë centralizuese në PS dhe pushtetin e të gjithë partisë në duart e kryetarit. Në një intervistë për një media, Malaj la të hapur krijimin e një partie të re nëse situata në PS bëhet përjashtuese dhe mbytëse. Opsioni i parë duhet të jetë një funksionim sa më demokratik i PS-së, ku hapësirat dhe mundësitë rriten, ku vlerësimi vjen nga meritokracia dhe jo klientelizmi. Kjo është mundësia më e mirë jo vetëm për PS-në, por nëse zhvillimet e ardhshme nuk do të jenë pozitive, ajo nuk mbetet mundësia e vetme. Thelbi i bashkëbisedimit dhe angazhimit tim nuk është ndarja e PS-së, por modernizimi i saj, është shprehur Malaj në intervistën e tij.
Takimet
Anëtari i Kryesisë socialiste, deputeti Arben Malaj, ka disa javë që po zhvillon takime në qytetet kryesore të vendit, për të paraqitur platformën e tij për modernizimin e partive politike shqiptare, e kryesisht të Partisë Socialiste. Në takimet e tij, ku kanë marrë pjesë kryesisht të rinj, Malaj ka kërkuar hapjen e PS-së, ndarjen e mandateve të të zgjedhurve socialistë, por dhe kufizimin e mandateve të kryetarit të PSSH.
ARISTIR LUMEZI