E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partitë e majta festojnë sot 67-vjetorin e çlirimit të Shqipërisë

Ndryshe nga mazhoranca e cila festoi dje të dyja festat, opozita do ta festojnë sot 67-vjetorin e çlirimit të Shqipërisë. Partitë e majta duke përfshirë edhe Lëvizjen Socialiste për Integrim pritet të zhvillojnë sot homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve dhe të vendosin kurora me lule tek monumenti “Nënë Shqipëri”.
 

LSI-ja, si parti e majtë, nuk e ka prishur traditën e saj. Për LSI-në Shqipëria u çliruar më 29 Nëntor, qëndrim që e ka mbajtur edhe kur ishte në opozitë e vazhdon ta mbajë edhe tani që është në koalicion qeverisës me Partinë Demokratike.
 

Ndërkohë kryeministri Berisha, dje gjatë festimit të 28 nëntorit, iu kujtoi shqiptarëve se data 28 është gjithashtu edhe festa e çlirimit të vendit. “Por sot nderojmë një datë tjetër të rëndësishme, çlirimin e Shqipërisë, ditë e cila do të shndrisë gjithmonë në historinë tonë kombëtare. Lufta Nacional Çlirimtare përbën një nga faqet më të ndritura të historisë së kombit shqiptar. Këta burra të thinjur që janë sot këtu së bashku me ne, mbushën fushat, kodrat, malet e Shqipërisë, rrokën armët dhe u përballën me armikun më të egër që kohërat kishin njohur, luftuan e çliruan vendin dhe renditën Shqipërinë në anën e drejtë të historisë së njerëzimit” theksoi Berisha.
 

Ndërkohë pritet që sot kreu i PS-së Edi Rama të kthehet nga Kosova ku festoi për herë të parë me bashkatdhetarët e tij festën e Pavarësisë së Shqipërisë. Ai pritet që sot së bashku me përfaqësuesit më të lartë të PS-së të zhvillojë homazhe tek varrezat e Dëshmorëve.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›