Topi: Ta festojmë 100 vjetorin e Pavarësisë duke forcuar demokracinë e shtetin e së drejtës
Presidenti Bamir Topi organizoi pasdite në Pallatin e Brigadave pritjen me rastin e 99 vjetorit të Pavarësisë së vendit. Të pranishëm ishin edhe kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Në fjalën e tij, Topi tha se ëndrra evropiane është tani realitet. Shqipëria është një vend i bekuar nga Zoti; ajo ka një pozitë gjeografike të admirueshme, një popull të ri në moshë dhe me energji të mëdha, ka potenciale ekonomike e turistike, traditë kulturore dhe lidhje të forta historike me trashëgiminë evropiane, ka aspirata të qarta në ecjen përpara dhe në çdo kohë, sjellje paqësore e bashkëpunimi me të gjithë fqinjët në rajon. Atdheu i Gjergj Kastriotit dhe Nënë Terezës nuk mund të kishte destinacion tjetër përveç ribashkimit të plotë me Evropën dhe qytetërimin e saj. Njëzet vjet më parë ëndrra evropiane ishte vetëm aspiratë, sot ajo është realitet. Shqipëria është anëtare në NATO, është një vend me mbështetjen më të lartë qytetare për aspiratat integruese në Bashkimin Evropian dhe një partner serioz i bashkësisë ndërkombëtare në përpjekjet e saj për përhapjen e demokracisë dhe të paqes në rajone të ndryshme të botës, tha Topi.
Referuar aktualitetit politik, gjatë këtij viti u shënua progres, sidomos në rritjen e angazhimit dhe pjesëmarrjes qytetare e civile në proces zgjedhor dhe në debatet publike. Krahas tyre, u harxhuan energji të pafundme në një debat politik joproduktiv, duke vendosur pa të drejtë, axhenda paralele partiake mbi ato publike e kombëtare. Ditët dhe javët e fundit politika është kthyer përsëri në institucione dhe në tryezën e dialogut. Shpresa dhe inkurajimi im, ashtu si e shumicës qytetare në këtë vend, është që arsyeja dhe përgjegjësia të dominojë mbi çdo interes tjetër politik, për ti dhënë shoqërisë dhe shtetit shqiptar, pa vonesë dhe me cilësinë e duhur, reformat, klimën dhe rezultatet e duhura, që sigurojnë standardet e integrimit në Bashkimin Evropian, vijoi më tej presidenti.
Sot ne nisim festimet për 100-vjetorin e Pavarësisë dhe ky është një rast i mirë për të bërë brenda nesh një bilanc politik, për të mësuar nga gabimet e të kaluarës dhe për të fituar kthjelltësinë e duhur për ecje më të shpejtë përpara. Natyrisht 100-vjetori jubilar do të marrë të gjithë vëmendjen, nderimin dhe angazhimin tonë, për tu shënuar me madhështinë që meriton. Përvjetorë të tillë mund të shoqërohen me projekte të shumta politike e qytetare apo me rivlerësime historike. Unë besoj se nderimi më i madh që mund ti bëjmë shtetit shqiptar në 100-vjetorin e tij është të punojnë me të gjitha energjitë për ta përsosur modelin shtetëror drejt atij niveli për të cilin janë sakrifikuar themeluesit dhe më shumë se pesë breza gjatë një shekulli.
Presidenti tha se nuk ka mënyrë më të mirë për të festuar 100 vjetorin sesa duke forcuar demokracinë dhe shtetin e së drejtës.
Nuk ka nderim më të madh sesa në vitin shekullor, Shqipëria të marrë ftesën e anëtarësimit për në BE, sesa të jetësojmë e forcojmë demokracinë funksionale dhe shtetin e së drejtës, sesa të konsolidojmë shtyllat themelore të shtetit: – institucionet e pavarura kushtetuese, sistemin funksional të drejtësisë, modelin e qeverisjes së mirë, të ndershme e transparente, si dhe misionin social të shtetit. Kam bindjen se ne kemi fuqinë, forcën dhe të gjithë mundësitë për tia arritur këtij qëllimi, – si përgjegjësi e jonë përpara interesave madhore të vendit, por edhe si një kthim borxhi që politika u ka qytetarëve, tha Topi.