E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partitë e vogla: Nuk i kthejmë paratë e fushatës

Partitë që nuk kanë mundur të hyjnë në Parlament, shprehen se Kodi i penalizon duke vendosur afate të shkurtra


TIRANË- Disa nga partitë politike që nuk arritën të fitojnë asnjë mandat në zgjedhjet e 28 qershorit, deklarojnë se nuk do t'i kthejnë paratë që morën nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për realizimin e fushatës zgjedhore. Afati i përcaktuar nga KQZ-ja për kthimin e parave është 31 gushti, por partitë kanë zgjedhur që të mos e respektojnë.

Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, vë në dukje se forca politike që ai drejton e ka bërë të qartë se nuk ka për t'i kthyer mbrapsht paratë e marra. Sipas tij, PDS-ja ka kontribuar në koalicionin parazgjedhor dhe nuk ka arsye që t'i kthejë financimet e dhëna nga KQZ-ja. "Nuk kanë të drejtë të këmbëngulin për të na kërkuar paratë. Ne kemi kontribuar në zgjedhjen e koalicionit. Nuk i kthejmë paratë, e kemi përsëritur shumë herë një gjë të tillë", - shprehet Milo për gazetën "Shekulli". Partia që i bashkëngjitet qëndrimit të PDS-së, është edhe ajo Demokristiane.

Edhe pse kreu i kësaj force politike, Nard Ndoka, disa ditë më parë u tregua i gatshëm për t'i kthyer paratë institucionit të KQZ-së, nënkryetari i PDK-së, Vladimir Beja thekson krejt të kundërtën, madje duke pretenduar edhe për një falje të shumës së marrë nga kjo parti. Sipas zotit Beja, Partia Demokristiane shpreson në një qëndrim ligjor të partive fituese për "faljen" e borxhit. "Kur na morën votat, pse të mos na e "falin" borxhin. Ne shpresojmë që ndaj PDK-së të ketë një "falje" të këtij borxhi. Votat që ne nuk arritëm të marrim mbase do të jenë në kushte të barabarta me moskthimin e parave", - thotë Beja. Ai vë në dukje se Partia Demokristiane mund t'i kthejë paratë para fushatës elektorale të zgjedhjeve të ardhshme lokale ose parlamentare, por jo brenda afatit të përcaktuar nga KQZ-ja dhe Kodi Zgjedhor.

Partia Demokristiane vazhdon t'i mbetet qëndrimit se për të nuk do të ketë një zgjidhje të veçantë, por do të jetë një zgjidhje si për të gjitha partitë që mbetën jashtë Parlamentit. Partia Aleanca Demokratike, është gjithashtu një nga partitë e cila kundërshton kthimin e parave brenda afatit të parashikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe nga nenet e përcaktuara nga Kodi Zgjedhor. Kjo parti e sheh si antikushtetues kohën e caktuar në nenet e Kodit Zgjedhor për kthimin e parave nga organizmat politikë jo parlamentarë. Sipas PAD-së, afati 1-mujor është antikushtetues, pasi është një periudhë shumë e shkurtër dhe forcat politike nuk kanë mundësi që t'i kthejnë menjëherë shumat e marra.

Aleanca Demokratike ngre pretendimin se duhet të lihet një kohë më e gjatë në mënyrë që të realizohet kthimi i plotë i parave. PAD-ja thotë se antikushtetueshmëria vjen edhe nga fakti se partitë jo parlamentare mund të penalizohen në zgjedhjet e ardhshme, kur nuk arrijnë të paguajnë paratë e marra në realizimin e fushatave zgjedhore të zgjedhjeve të mëparshme, por edhe ato 28 qershorit.

Forcat politike të pamandatuara, të përmendura më lart, tregohen të vendosura për të mos depozituar paratë në KQZ edhe pse mund të penalizohen me mospjesëmarrje në zgjedhjet e ardhshme, si dhe të mos marrin financime nga fondet publike. Kjo është e përcaktuar qartë edhe në Kodin Zgjedhor. "Partia, e cila nuk kthen fondet përkatëse sipas pikës 3 të këtij neni, humbet të drejtën e financimeve të tjera nga fondet publike për një periudhë kohe jo më pak se 5 vjet, si dhe nuk regjistrohet si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e radhës, pavarësisht llojit të tyre, as vetëm dhe as si pjesëtare e ndonjë koalicioni ", - thuhet në nenin 87 pika 4 të Kodit Zgjedhor për shpërndarjen dhe rishpërndarjen e fondeve publike. Në rast moskthimi të shumave të marra nga partitë jo parlamentare, KQZ-ja i kërkon zyrës së Thesarit t'i mbajë nga fondet e tjera që përfitojnë këto parti, duke i dërguar në KQZ.

Shuma e marrë nga këto parti arrin në një total prej 12.7 milionë lekësh. Me gjithë shumën e madhe që këto forca politike kanë borxh ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dhe kur ndodhemi afër datës 31 gusht, qëndrimi politik i kryetarëve të tyre vazhdon të mbetet i njëjtë: "nuk do t'i kthejmë paratë e marra".



Shumat që duhet të kthejnë partitë e vogla

Partia Aleanca Demokratike, 1.920.479 lekë
Partia Demokracia Sociale, 1.711.151 lekë
Partia Demokristiane, 1.315.153 lekë
Partia Agrare-Ambientaliste, 2.644.556 lekë
Partia Social Demokrate 5.136.667 lekë



Partitë dhe shumat që përfitojnë sërish
Partia Demokratike 6.18 milionë
Partia Socialiste 5.9 milionë
Lëvizja Socialiste për Integrim 3.6 milionë
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut 0.9 milionë
Partia Republikane 0.9 milionë
Partia për Drejtësi dhe Integrim 0.9 milionë



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›