E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI, kundër Metës: Mos shko me Berishën

Afro gjysma e kryesisë së LSI-së kanë dalë kundër vendimit të Metës për të bashkëqeverisur me PD-në

"Kjo bindje na detyron të apelojmë publikisht tek drejtuesit e LSI-së për të ndalur aktin final të bashkëpunimit me Berishën."

Vendosmëria e Ilir Metës për të kaluar djathtas në bashkëqeverisje me Sali Berishën, ka ndarë më dysh Lëvizjen Socialiste për Integrim. Thuajse gjysma e anëtarëve të kryesisë së LSI-së, nën përgjegjësinë edhe të themeluesve të saj, kanë dalë dje me një qëndrim të përbashkët kundër arritjes së një marrëveshjeje bashkëpunimi të kësaj force me Partinë Demokratike. Bëhet fjalë për pesë autoritete të kësaj partie, si zëvendëskryetari Pëllumb Xhufi, nënkryetari Sabit Brokaj, dhe tre anëtarët e kryesisë, Fatos Klosi, Ndre Legisi dhe Mustafa Muçi, të cilët në një komunikim me mediat i kanë bërë thirrje lidershipit të mbetur të kësaj partie që të reagojë sa nuk është vonë për t'i thënë jo një bashkëqeverisjeje me Kryeministrin Sali Berisha.

Deklarata
Për të shmangur çdo incident të mundshëm me mbështetësit e kryetarit Ilir Meta, pesë figurat e njohura të LSI-së, Xhufi, Brokaj, Klosi, Legisi dhe Muçi janë detyruar të lënë sallën e konferencave në selinë e kësaj partie dhe të marrin një ambient me qira në një nga hotelet e kryeqytetit për të shprehur qëndrimin e tyre të unifikuar kundër bashkëpunimit në qeveri me demokratët. Në emër të kësaj përfaqësie, numri dy i LSI-së, Pëllumb Xhufi, ka bërë të ditur shqetësimin që ekziston jo vetëm në një pjesë të mirë të drejtuesve të kësaj force, por edhe të anëtarësisë lidhur me këtë veprim që, sipas tij, po shkel parimet mbi të cilët kjo forcë u themelua pesë vjet më parë.

Duke u shprehur të zhgënjyer nga një lëvizje e tillë, ata kanë bërë të ditur se nuk mund të pranojnë kurrsesi që në emër të shprehjeve demagogjike për shpëtimin e Shqipërisë, të tradhtojnë besimin që votuesit shqiptar i dhanë me votat e tyre në zgjedhjet e 28 qershorit, duke u vënë në shërbim të pushtetit të Berishës. "Ne, sikurse shumë anëtarë të LSI-së, nuk mund të pranojmë që përpjekjet tona të përbashkëta disavjeçare dhe votat e shqiptarëve, të cilët besuan te ne dhe LSI-ja, të zhbëhen tërësisht pa asnjë shkak të qenësishëm për t'u vënë në shërbim të pushtetit arbitar, personal të Kryeministrit të pavotuar të Gërdecit, përgjegjësit të vetëm të deformimit të procesit demokratik të vendit dhe bashkautorit të pucit kushtetues të 21 prillit.

Nuk ka qenë kjo ëndrra jonë", - tha Xhufi në deklaratën e tij në emër edhe të katër anëtarëve të tjerë të kryesisë. Duke iu përmbajtur kësaj bindjeje, ata i kanë bërë apelin e fundit kreut të LSI-së që të ndalë këtë hap, që sipas tyre, në rast se do të realizohej, do të ishte vetëshkatërrues për LSI-në. "Kjo bindje na detyron të apelojmë sot publikisht tek drejtuesit e LSI-së për të ndalur aktin final të bashkëpunimit me Berishën, sikurse është detyrimi ynë parimor kundrejt të gjithë miqve, kolegëve, bashkëpunëtorëve tanë, por dhe kundrejt opinionit publik në përgjithësi, për të sqaruar pa asnjë ekuivok se nuk ka qenë kjo ëndrra jonë të cilën para 5 vjetësh e pagëzuam me emrin Lëvizja Socialiste për Integrim; se nuk gënjyem aspak kur deklaruam se ne jemi e majta e vërtetë e këtij vendi, se nuk bënim lojëra kur premtonim të qeverisnim Shqipërinë si një e majtë evropiane", - tha më tej Xhufi.

Thirrja
Në përputhje edhe me qëndrimin e tyre të shprehur më parë, se vendimi për të bashkëqeverisur me PD-në është i nxituar dhe i pakonceptueshëm, krerët e LSI-së besojnë se është ende koha e duhur që lidershipi tjetër i kësaj force të reflektojë për ta kthyer LSI-në atje ku e ka vendin, pra në spektrin e majtë. Sipas tyre, në të kundërt, kjo forcë politike do të kthehej as më shumë e as më pak, por në një parti që mbush boshllëqet e pushtetit të Berishës. "Ne vërtet besojmë se janë të gjitha arsyet për të riparuar sa më parë vendimmarrjen e pashkak e të nxituar, e aspak të natyrshme për ta nxjerrë Lëvizjen tonë Socialiste nga misioni dhe programi i saj politik, nga spektri i majtë i politikës shqiptare dhe për ta shndërruar thjesht në parti numrash, dhe pjesë e llogarive qeveritare për të arritur numrin magjik 71"- deklaroi Xhufi.

Në të kundërt, pra në rast se këto struktura nuk reagojnë në mënyrën dhe momentin e duhur, atëherë ata kanë bërë të ditur se nuk do t'i bashkoheshin këtij vendimi të LSI-së për t'u bërë pjesë e qeverisjes, duke paralajmëruar kështu dhe një çarje reale në këtë forcë. "Shpresojmë që të ketë reflektim, por nëse kjo nuk ndodh, atëherë ne nuk do t'i bashkohemi këtij misioni vetëshkatërrues, që do të thotë fundi i LSI-së", - tha në fund të fjalës së vet Xhufi. Deklarata vjen një ditë pasi kreu i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi se ishte në pritje të ftesës së Berishës për të përmbyllur marrëveshjen e bashkëqeverisjes.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›