Partitë e vogla “hapin listat”. LZHK, Lëvizja Bashkë dhe Djathtas garojnë me anonimë në pjesën e mbyllur

Partitë e vogla janë të vendosura të hapin listat e kandidatëve për deputet pavarësisht vendimit të gjykatës kushtetuese e cila rrëzoi kërkesën e tyre duke lënë në fuqi formulën e miratuar me konsensus mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike e cila parashikon që 1/3 e listës është e mbyllur.
Dashamir Shehi i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar sqaron se partia që ai drejton do t’ia lejë qytetarëve të përzgjedhin me votën e tyre deputetët duke vendosur që nga ai i pari e çdo figurë tjetër politikë të garojë në listën e hapur.
“Ne dy, tre parti kemi rënë dakord që tani dhe do të bëjmë listë të hapur dhe do ta bëjmë vetë. Si do ta bëjmë? Me mirëbesim me njëri-tjetrin. Edhe seriozitetin e kësaj do ta tregojë që ne vetë si kryetarë partie do të hyjmë tek lista e hapur dhe kjo e jep vetë sinjalin se kush është lista e hapur se cila është lista reale”, tha Dashamir Shehi.
Rezart Kthupi i partisë “Djathtas 1912” sqaron se asnjë forcë politike nuk i shmanget dot ligjit dhe ata do të dorëzojnë në Kqz dy lista; një listë të mbyllur dhe një listë të hapur; por në listën e mbyllur do të vendosen njerëz jo politikë.
“Tek lista e mbyllur nuk do të ketë fare njerëz me peshë politike. Pse? Për të treguar se sistemi është ndërtuar gabim. Dhe për të provuar se sistemi është ndërtuar gabim në pjesën e mbyllur të listës edhe nëse do të ketë individë do të ketë individë që nuk kanë asnjë lloj rekordi publik për të treguar çfarë ndodh me një pjesë të listës që caktojnë drejtpërdrejt kryetarët. Kjo është fakti më tregues që pjesa e mbyllur e listës është kapricio apo teke e kryetarit të partisë. Ndërkohë që pjesa e hapur e listës do të ketë të gjithë njerëzit me kontribute politike”, shtoi Rezart Kthupi.
Lëvizja Bashkë dhe Arlind Qorri kanë zgjedhur gjithashtu ti japin më shumë pushtet votës së qytetarëve.
Sipas kodit zgjedhor partitë politike duhet të dorëzojnë në Kqz dy lista; listën e mbyllur e cila përbën 1/3 e kandidatëve për deputet dhe listën e hapur. Ligji parashikon që në momentin që ndahen mandatet; në fillim deputet bëhen ata kandidatë që janë në listën e mbyllur dhe kur ezaurohet kjo listë atëherë mandatin e deputetit e fiton ai kandidat që ka marrë më shumë vota në listën e hapur.
Për të hapur listën mësohet se partia Djathtas e Lzhk do të vendosin pensionistë, njerëz që nuk kanë lidhje me politikën e nuk kanë ambicie, ndërsa Shehi Alibeaj etj do të garojnë në listën e hapur. Në rast se partia fiton një apo disa mandate në një qark të caktuar atëherë të gjithë kandidatët e listës së mbyllur me marrëveshje do të lënë mandatin në mënyrë që ky mandat ti kalojë kandidatit që ka marrë më shumë vota.