E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zhbllokohen rrugët në veri, borëpastrueset pastrojnë akset në Theth, Vermosh dhe Iballë

Qarku i Shkodrës vazhdon të ketë probleme në qarkullim dhe furnizimin me energji elektrike.

Erërat e forta dhe bora kanë bërë që në disa segmente të rrugës trashësia të arrijë deri në 2 metra. Në rrugën e Iballës prej dy ditësh është bërë e vështirë lëvizja e mjeteve.

Është dashur ndërhyrja e bashkisë së Fushë Arrëzit me një fadromë që të bënte të mundur zhbllokimin e aksit. Për pasojë, makinat e mbetura në dëborë, filluan  të lëviznin drejt Fushë Arrëzit.

Ndërkohë, vijon puna në akset Bogë-Theth dhe Tamarë-Vermosh për largimin e dëborës.

Reshjet gjatë natës kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona malore, duke lënë mbi 300 familje pa drita në juglindje të vendit.  Situata më kritike raportohet në njësinë administrative Lekas.

Probleme të ngjashme janë shfaqur edhe në fshatrat e Moglicës, si dhe në Proger dhe Vranisht, pjesë e Bashkisë Devoll.

Përveç kësaj, reshjet e borës kanë vështirësuar ndjeshëm edhe qarkullimin e mjeteve në zonat e thella malore. Megjithatë, paraditen e sotme është bërë e mundur hapja e rrugës Shtyllë-Panarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›