E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partitë lakojnë emrat për garën në Ferizaj

Ndonëse ende jo zyrtarisht, Naim Ferati, pritet të jetë kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për pozitën e njeriut të parë të Ferizajt.

Ferati, ka qenë drejtues i lartë i degës së Aleancës Kosova e Re dhe aktualisht është drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në komunën e Ferizajt.

Burime brenda AAK-së kanë thënë për Kosovapress, se Ferati për këtë kandidim ka marrë edhe bekimin e drejtuesve të lartë të këtij subjekti, duke përmendur edhe takimet që ky ka zhvilluar me nënkryetarët e AAK-së, Blerim Shalën dhe Daut Haradinajn, në të cilat edhe është vendosur që ky të jetë kandidati më i pranueshëm. Po këto burime kanë bërë të ditur se Naim Ferati shumë shpejt do ta marr edhe drejtimin e degës së AAK-së, këtij subjekti i cili në Kuvendin e Ferizajt përfaqësohet me tre këshilltarë.

Gjatë këtyre ditëve, vërehet një mobizilim edhe i subjekteve tjera politike.

Burime brenda tyre flasin për emra dhe kombinatorika të ndryshme. Jo zyrtarisht, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) gjatë javës janë përfolur dy emra, ai i Elmi Reçicës dhe Agim Aliut, gjatë ditës së mërkurë kanë dal zëra se kandidati më i mundshmi nga ky subjekt për postin e kryetarit do të jetë, Mustafë Grainca, i cili, as nuk e ka pohuar e as mohuar një gjë të tillë.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) pritet që nesër të del me emrin e kandidatit, i cili, sipas të gjitha gjasave, do të jetë kryetari i degës, Adem Salihaj, por që nuk dihen rezultatet e bisedimeve që ky subjekt ka bërë me Lidhjen Demokratike të Dardanisë (LDD), e cila, edhe më tutje, këmbëngul që kandidati të jetë nga radhët e këtij subjekti.

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Ferizaj, pritet që deri në fund të javës ta zyrtarizoj emrin e kryetarit të Qendrës, Faton Topalli, si kandidat të mundshëm për kryetar të Ferizajt, ndërsa burime brenda këtij subjekti thonë se tashmë ky subjekt ka themeluar edhe shtabin zgjedhor. /kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›