E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kacin, Serbisë: Harroje veriun e Kosovës

Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Jelko Kacin, ka deklaruar të mërkurën se Bashkimi Evropian duhet të vazhdojë të “shpërblejë” qëndrimin konstruktiv të Prishtinës zyrtare në bisedimet me Beogradin.

Ai ka thënë se Beogradi duhet të harrojë idenë se veriu i Kosovës de fakto do të mbetet pjesë e Serbisë. Sipas tij, përveç qasjes së BE-së ndaj Kosovës, integrimi i kësaj të fundit varet nga vullneti i autoriteteve kosovare për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

“Studimi i fizibilitetit ka filluar, e po ashtu edhe puna për liberalizimin e vizave. Ne kemi nevojë për të siguruar se këto procese do të realizohen në të ardhmen e afërt. Kosova është vendi i fundit në rajon, ku qytetarët e saj kanë nevojë për vizë për të udhëtuar në zonën Shengen. Andaj ne duhet të bëjmë pjesën tonë të punës në mënyrë që t’iu japim fund këtyre vështirësive sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë Kacin para eurodeputetëve, raporton Telegrafi.

Kacin ka thënë se dialogu me Beogradin është me shumë interes edhe për Kosovën, për ekonominë dhe qytetarët e saj. Ai ka thënë se të dyja palët, Kosova dhe Serbia, duhet të vazhdojnë dialogun dhe njëkohësisht, sipas tij, marrëveshjet e arritura duhet zbatuar plotësisht.

“Në të njëjtën kohë, Prishtina ka nevojë për të arritur mirëbesim me komunitetin serb në veri dhe për të inkurajuar integrimin e tyre në institucionet dhe shoqërinë e Kosovës. Beogradi, po ashtu, duhet të shuajë idenë se veriu i Kosovës de fakto do të mbetet pjesë e Serbisë”, tha ai.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›