E Diel, 1 Nëntor 2026

Partitë “pajtohen në heshtje”, s’ka zgjedhje të parakohshme

Zgjedhjet nacionale në Kosovë nuk do të mbahen para afatit kushtetues, kanë thënë burime të “Kohës Ditore”, e të cilën gjë shumica e partive parlamentare e kanë kundërshtuar.

Edhe agjenda për reformën zgjedhore i përgjigjet organizimit të votimeve në vjeshtën e hershme të vitit 2014.

“Dinamika me të cilën është punuar në reformën zgjedhore e ka bërë të vetën. Ka një pajtim të heshtur që të mos insistohet më në organizmin e zgjedhjeve para afatit kushtetues, sepse agjendat politike që kemi përpara nuk lejojnë vakuume institucionale”, ka thënë burimi i gazetës.

Kësisoj, LDK-ja nuk ka arritur që me marrëveshjen për reformën kushtetuese dhe për atë zgjedhore t’ia shkurtojë mandatin qeverisë aktuale të kryeministrit Hashim Thaçi, të marrë nga zgjedhjet e fundvitit të 2010.

Kjo parti do të votojë Ligjin për zgjedhje pa e kushtëzuar votën me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

Me përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila vazhdimisht ka kërkuar që zgjedhjet duhet organizuar sa më shpejt, subjektet e tjera politike nuk kanë insistuar që mandati aktual duhet shkurtuar./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›