E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministrisë së varfër të Kulturës i tepron mbi një milion euro

Së paku 1 milion e 300 mijë euro të parapara për dy projekte, Ministria e Kulturës do t’i ridestinojë. Dy projekte kapitale për investime në kulturë, të cilat institucioni më i lartë i kulturës në vend i kishte parashikuar për këtë vit, as që kanë nisur. Projektin për shtëpinë e operës dhe të baletit “Ibrahim Rugova” - për të cilin deri tani janë shpenzuar mbi një milion euro - MKRS-ja nuk e ka zëvendësuar me një të ri, pasi projektin e trashëguar e shpalli të pavlefshëm në verën e këtij viti. E për Muzeun e Artit Bashkëkohor, Ministria vazhdon ta fajësojë Komunën e Prishtinës se nuk ka dhënë leje për caktimin e lokacionit. Për të parën, nga kuleta e buxhetit të shtetit Ministrisë së Kulturës i qenë ndarë në fillim të vitit 1 milion euro e për të dytën 300 mijë.

Një listë e gjatë e projekteve me investime në trashëgiminë kulturore gjithashtu nuk është përmbushur gjatë 2012-s., shkruan Koha Ditore.

Regjistrimi dhe digjitalizimi i trashëgimisë kulturore të Kosovës, kompleksi i Tyrbes dhe i Teqesë në Topanicë të Kamenicës, Kulla e Jusuf Gërvallës, ajo e Habib Avdylit janë disa nga projektet që MKRS-ja ka trashëguar prej vitit të kaluar, e për të cilat është zotuar se do të nisë së investuari gjatë këtij viti. Rreth gjysmë milioni euro ishin ndarë sivjet për këto projekte. E në kuadër të projekteve të hartuara rishtas, për vitin 2012, janë përmendur Kalaja e Prizrenit, ajo e Artanës, e Dardanës, e Harilaqit, lokaliteti i Ulpianës, Kulla e Demë Ali Pozharit, e të tjera. Për asnjërën prej tyre, zyrtarë të MKRS-së nuk kanë pasur përgjigje të prerë se ku kanë mbetur punimet.

Por Shkëlzen Dragaj, këshilltar i ministrit të Kulturës, Memli Krasniqi, ka thënë se mjetet nuk do t’u teprojnë. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›