E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partite mbi 345 mije euro gjoba

Ndonëse subjektet politike bëjnë thirrje që të respektohet ligji, janë vetë ato që e shkelin më së shumti ligjin, të paktën gjatë kohës kur janë në fushatë zgjedhore.

Një bilanc i gjobave të deklaruara nga ana e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa tregon se pikërisht subjektet më të mëdha janë njëkohësisht edhe shkelësit më të mëdhenj të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe të rregullave zgjedhore të KQZ-së.

Mbulimi i posterëve të kundërshtarëve politikë dhe gara jo korrekte, bëri që subjektet politike të ankohen për njëra-tjetrën, ndonëse më herët ato nënshkruan kodin e mirësjelljes, për një garë të rregullt zgjedhore.

Kryesuesi i Sekretariatit të Panelit Zgjedhor për Ankesa, Mul Desku, tha për Top Channel përmes postës elektronike se shuma totale e gjobave ndaj subjekteve politike gjatë proçesit zgjedhor të 12 dhjetorit arrin në 345 mijë e 700 euro.

Sipas të dhënave të PZAP-së, Partia Demokratike e Kosovës e cila në bazë të rezultateve jo përfundimtare të KQZ-së në zgjedhjet e 12 dhjetorit doli e para, i duhet të paguajë në buxhetin e Kosovës 135 mijë e 600 euro.

Lidhja Demokratike e Kosovës që u rendit partia e dytë në vend, po ashtu, mban vendin e dytë për gjobën që i duhet ta shlyejë e që ka vlerën 83 mijë e 450 euro.

Lëvizja “Vetëvendosje” e cila më 12 dhjetor doli forca e tretë politike, mban vendin e pestë për nga shuma e gjobës e që është 6 mijë e 250 euro.

Ndërsa, AAK është gjobitur me 65 mijë e 550 euro, kurse AKR me rreth 39 mijë të tilla.

Lidhja Demokratike e Dardanisë e cila mbeti jashtë parlamentit në buxhetin e Kosovës duhet të zbrazë nga xhepat rreth 5 mijë euro.

Kurse në 11 mijë e 550 euro është shifra ku subjektet e tjera politike kanë pjesën e tyre për të paguar.

Sipas z. Desku, subjektet politike të gjobitura, nuk kanë filluar ende t’i shlyejnë borxhet e tyre, sipas vendimeve të PZAP-it.

Ndërsa, meqenëse votimet e 9 janarit janë vazhdimësi e atyre të 12 dhjetorit, subjektet politike mund të garojnë pa shlyer gjobat më parë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›