Partitë vijonë fushatat elektorale. Gjinushi: PSD-ja merr 3 mandate
Tiranë- Përkrah dy partive të mëdha, janë edhe partitë e konsideruara të vogla që po zhvillojnë fushata në zona të ndryshme të vendit. Kreu i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, është ndalur këtë pasdite në zonën e Bërxullës, ku tha se qeveria e ka lënë në harresë bujqësinë, ndërsa u shpreh se vendi ynë është kthyer në shtet gjysmëfeudal.
Bujqësia e ardhmja e ekonomisë së këtij vendi. Të ruajmë dhe aplikojmë produktet vendase. Çmimi i karburantit i njëjtë për makinat luksoze dhe bujqësore. Jo votë atyre që nuk kanë ndjeshmëri ndaj fermerëve. Bujqësia në Shqipëri rend gjysmë feudal,- tha Topi.
Gjinushi prezanton kandidatët: Marrim 3 deputetë
Ndërkohë Partia Social Demokrate e Skënder Gjinushit, ka bërë sot prezantimin e kandidatëve nëpër qarqe, ndërsa kreu i saj deklaroi se këtë vit do të merren tre mandate në Kuvend.
Synojmë të përfaqësohemi me mbi 3 mandate në Kuvend. Jemi për një fitore sa më të thellë të opozitës, nga 74 në 80 mandate. Berisha nuk e pranon humbjen po nuk e munde thellë… Vota për ne është votë dhe mandate që nuk shiten. Sa më e fortë të dalë PSD në këto zgjedhje aq më i fortë del koalicioni pas zgjedhjeve. Ne nuk kërkojmë votë për pazare politike por për ndarjen e përgjegjësisë në qeverisje. Saliu e ka të humbur betejën, populli do ti japë duart më 23 qershor. 3 premtimet e mëdha të PD punësim, mirëqenie, integrim janë 3 dështimet që po mbyll në 8 vite,- tha Gjinushi.
Malaj me studentët: Mirqenia varet tek mirëarsimimi
Ndërsa kandidati i pavarur Arben Malaj gjatë një bashkëbisedimi me studentë në një universitet privat u shpreh se demokracia e një vendi vjen nga arsimimi.
“Lufta kundër varfërisë është, gjithashtu, një sfidë globale. Dhe në këtë këndvështrim, rritja e kostos së arsimimit është një barrierë, e cila duhet të shpërndahet më mirë tek studentët, në mënyrë që ata të kenë mundësi të marrin mësime nga lektorët më të mirë në botë. Përvoja botërore me teknologjinë e re dhe platormat online të mësimdhënies ka treguar se ato sjellin një impakt pozitiv pasi ndihmojnë edhe pedagogët për rritjen e cilësisë së mësimdhënies”,- tha Malaj.
Më tej ai u shpreh se rritja e punësimit dhe mirëqenies vjen vetëm falë arsimimit, duke shtuar s emugesa e tij pengon cilësinë e mirëqënies.
Idrizi takon Fatmir Limajn, e njeh me programin e PDIU-së
Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi ka zhvilluar sot një takim me heroin e luftës së Kosovës Fatmir Limaj, ku e ka njohur atë me zhvillimet e fushatës elektorale.
Idrizi shprehur mbështetjen e të gjithë shqiptarëve për luftën heroike të zhvilluar nga UÇK-ja. Ai i cilësoi lëvizje të dëshpëruara të Serbisë arrestimet e kryera së fundmi, si përpjekje për të njollosur luftën heroike të zhvilluar prej tyre. Por Idrizi theksoi se tashmë është ora e shqiptarëve dhe askush nuk mund të abuzojë ose ti nëpërkëmbë ata.
Sa i përket fushatës Idrizi u shpreh se është vënë re një rritje e ndjeshme e mbështetjes ndaj PDIU-së, si forca e vetme që ka në themel të saj çështjen kombëtare.
PAD prezanton kandidatët në Korçë, Bushati: Duhet rotacion politik
Partia Aleanca Demokristiane ka bërë sot prezantimin e kandidatëve në Korçë, ndërsa kreu i saj Zef Bushati, ka deklaruar se më 23 qershor do të ketë rrotacion. Ai deklaroi se shqiptarët kanë nevojë për një tjetër qeveri, ndësa u shpreh se shumica e deputetëve janë militantë partie dhe servila, siç i cilësoi ai, të partive.