E Diel, 1 Nëntor 2026

Partiturat e Feim Ibrahimit ruhen me fanatizëm, por rrezikojnë degradimin

Tiranë- Partitura të veprave të shkruara ndër dekada të krijimtarisë së tij…shumë prej tyre datojnë heret e të tjera më vonë, por të gjitha janë bërë bashkë në këtë mini ekspozitë të krijimtarisë së kompozitorit Feim Ibrahimi në mjediset e Qendrës së Kulturës dhe Botimeve të Mbrojtjes.

Gjendet aty edhe partitura e veprës ‘Rapsodia shqiptare’ që daton në vitin 1972. Ata që e njohin gjuhën e muzikës mund t’i lexojnë lehtësisht, por ama vitet që shkojnë bëjnë të tyren dhe të ruajtura në kushtet e shtëpisë rrezikojnë degradimin.

Mes miqve, kolegëve të një jete dhe stundentëve, bashkëshortja e kompozitorit që u shua në vitin 1997, Vera Ibrahimi thotë se këto partitura kërkojnë më shumë vëmendje për të mos u zhbërë.

“Fatkeqësisht në Shqipëri nuk bëhet asgjë për ruajtjen e këtyre partiturave dhe e them këtë jo vetëm për Feimin, por për të gjithë kompozitorët që nuk janë më dhe ata të rëndësishmit numërohen me gishta. I ruaj originalet që kam në shtëpi me fanatizëm por çfardo që të bëj unë, në kushtet e shtëpisë ato dëmtohen çdo ditë që shkon. Ndaj me urgjencë kërkohet subvencion nga organizmat shtetërore që të ndërhyjnë për dixhitalizimin e këtyre partiturave të cilat janë shkruar të gjitha me laps në ato kohë dhe lapsi fshihet. S’do të vonojë shumë koha kur ato do të zhduken dhe do të jetë shumë vonë”-ka ngritur alarmin bashkëshortja e kompozitorit. 

Shumë krijues shkojnë me pengje sepse jo rrallë ndodh që të lënë pas vepra të cilat nuk mundin dot të shohin dritën e skenës. Por me veprën e kompozitorit Ibrahimi nuk ka ndodhur kështu.

“Për fatin e tij të mirë, çdo gjë që Feimi krijoi u ekzekutua dhe kjo ishte lumturi për të. Por ai la disa pjesë të papërfunduara, të cilat unë mendoj sikundër edhe studiuesit, të merren nga kompozitorët e rinj, të përfundohen dhe të shohin edha to dritën e skenës”-ka shtuar bashkëshortja e një ndër kompozitorëve më të zëshëm të muzikës shqiptare.

Anisa Ymeri

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›