E Diel, 1 Nëntor 2026

Partizani dhe Lushnja, sukses i njëjtë, koncepte të ndryshme

partizani-lushnjaNga Edmond Sufaj

Dy skuadrat e reja të Superligës kanë shpalosur një futboll të ndryshëm nga njëra-tjetra, ku janë ndjekur dy rrugë të kundërta

Skuadra e kryeqytetit ka arritur një sukses të jashtëzakoshëm përsa i përket ngjitjes në vendin që i takon, Superligë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Lushnjen, e cila ka qenë dhe skuadra për tu mundur në kategorinë e pare gjatë gjithë sezonit aktual, ku zuri me meritë vendin e parë. Por ajo që i bën të ndryshëm skuadrat nga njëra-tjetra është pikërisht rruga dhe mënyra me të cilën është arritur ky sukses.

Grupi i lojtarëve

Partizani ka arritur të mundë rregullat e natyrshme që ekzistojnë në futboll, pikërisht marrjen e fryteve brenda një faze të vetme. Në merkaton e Janarit, Partizani afroi në ekip shumë lojtarë, të cilët përbëjnë më shumë se 90% të formacionit në skuadër. Zakonisht në të tilla situata, grupi i lojtarëve kërkon kohën e nevojshme për homogjenizimin e duhur. Por ndodhi e kundërta, Partizani arriti objektivin e shumëpritur.

Te skuadra e Lushnjes ka ndodhur e kundërta, ku grupi aktual ka disa sezone që luan bashkë. Në këtë mënyre, homogjenizimi i skuadrës ka qenë në shkallën më të lartë të mundshme. Kjo është reflekuaar qartë te mënyra e tyre e lojës, ku lojtarët kanë pasur një gjuhë komunikimi shumë të mirë në fushën e lojës, si pasojë e së cilës kanë ardhur dhe rezultatet.

Mbrojtja

Kampionia e kategorisë së parë e ka konsideruar mbrojtjen si sulmin më të mirë të saj, sidomos në pjesën e parë të sezonit. Në fazen e parë, ekipi lagunar pësoi vetëm pesë gola në 15 ndeshje të luajtura.

Ky rendiment në mbrojtje ka ndikuar shumë në pikët e grumbulluara, sidomos në pjesën e parë të sezonit, ku shumë fitore u arritën me shifra minimale. E kundërta ka ndodhur te Partizani në fazën e parë. Të kuqtë ishin një nga skuadrat e vetme pranë keut, të cilët nuk kishin një raport pozitiv midis golave të shënuar dhe atyre të pësuar.

Mbrojtja e Partzianit ka futur shumë ujë gjatë fazës së parë dhe si rrjedhojë humbi shumë terren nga lagunarët. Edhe në fazën e dytë, mbrojtja e kuqe nuk ka qenë në nivelin më të lartë, por ajo është kompesuar nga sulmi, i cili ka qenë në nivelin e duhur, duke ndikuar edhe në golavarazhin pozitiv. Aktualisht, Partizani ka shënuar 36 gola dhe ka pësuar 30.

Mesfusha

Skuadrat e sapongjitura në elitë kanë pasur një rendiment të ndryshëm përsa i përket mesfushës. Partizani ka arritur ta fitojë atë si repart vetëm në pjesën e dytë të sezonit, pasi në të parën ajo nuk e kreu siç duhej rolin e saj, duke qenë shpeshherë pengesë në komunikimin e mbrojtjes me sulmin. Në fazën e dytë, mesfusha e të kuqve pati një rol të rëndësishëm përsa i përket rezultateve të arritura. Mesfusha e lagunarëve nga ana tjetër ka qenë konstante në rendimentin e saj gjatë gjithë kampionatit, ku në pjesën e parë të sezonit ka pasur kriter difensiv.

Sulmi

Lushnja vërtet ka pasur një mbrojtje solide, por edhe sulmi i saj nuk ka mbetur pas. Aktualisht, sulmi lagunar është pas Pogradecit në shënimin e golave. Në krye të golashënuesve në kategorinë e parë ndodhet pikërisht sulmusi i saj, Mikel Canka. Kjo tregon dhe konsolidimin e kësaj skuadre, e cila pasqyrohet me mënyrën e konkludimit në portat kundërshtare, ku sulmet përfundojnë me anë të sulmuesve.

Te skuadra e Partizanit është veshtirë të gjesh një sulmues në dhjetëshen e parë të renditjes së golashënuesve në kategorinë e parë. Sulmuesi më i mirë i saj, Agastra ka shënuar gjashtë gola. Shpërndarja e 36 golave të shënuar nga skuadra tregon një situatë të kundërt në raport me skuadrën myzeqare.

Tifozëria

Në fazën e parë të sezonit, tifozëria lushnjare ka munguar në mbështetje të skuadrës, kjo si rrjedhojë e zhgënjimit të pësuar gjatë fundit të sezonit të kaluar, ku ekipi lushnjar nuk arriti të kalonte në Superligë. Për tifozët lagunarë, pengesë ka qenë dhe mungesa e stadiumit Roza Haxhiu, i cili ka qenë i mbyllur për shkak të rikonstruksionit.

Te Partizani ka ekzistuar e kundërta, pasi tifozëria e saj nuk ka munguar në asnjë moment në perkrahje të skuadrës edhe pse kryeqytetasit janë dashur të luajnë shpesh jashtë fushave të Tiranës. Tifozëria e kuqe ka qenë një nga shtysat kryesore në arritjen e suksesit për ngjitjen në Superligë. Besnikëria e tifëzëve të Partizanit mbetet një vlerë e jashtëzakonshme përsa i përket futbollit të klubeve në Shqipëri.

Financat

Edhe në këtë këndvështrim, situatat janë të ndryshme. Lushnja mbështet nga Bashkia e qytetit, ndërsa Partizani nga donatorët, Lulzim Sallaku dhe Gaz Demi, të cilët përveç mbështetjes financiare për skuadrën, nga ana tjetër po ndërtojnë dhe kompleksin për ekipin në Bërzhitë, e cila përbën një risi përsa i përket investimeve për një skuadër në Shqipëri.

Gjithsesi, rrugët e ndryshme që janë ndjekur nga skuadrat janë bashkuar në një të vetme, në arritjen e suksesit, ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›