Partizani kërkon hakmarrje ndaj Adës

(www.albania-sport.com) – Partizani do të përballet këtë fundjavë me Adën e Velipojës, kundër skuadrës që i ka shkaktuar humbjen më të thellë, 5-0, gjatë dy sezoneve të vetme që 15-herë kampionët e Shqipërisë marrin pjesë në Kategorinë e Parë, e ku heroi për velipojakët ishte Hajdari, autori i një triplete në atë ndeshje.
Atëherë pas humbjes surprizë në Velipojë shpërthyen edhe akuza të rënda brenda kampit të kuq midis ish-trajnerit Eduard Zhupa dhe kapitenit Luan Pinari, madje ky i fundit u pezullua, pasi Gjithsesi, gjërat rodhën ndryshe më pas. Trajneri Zhupa u shkarkua, ndërsa kapiteni Pinari vazhdon edhe sot e kësaj dite te Partizani.
Partizani e Ada janë ndeshur edhe për Kupën e Shqipërisë, ku ishte formacioni i Bejzades që kaloi në turin e dytë, në Velipojë dy skuadrat u ndanë në një barazim të thatë 0-0, ndërsa ajo e kthimit e zhvilluar në Kamëz nxorri të kuqtë fitues 2-1.
Partizani i realizoi dy golat në harkun e tri minutave, kur më parë 23-vjeçari Ardjan Beqiri shënoi në minutën e 13-të dhe 20-vjeçari Alban Dashi dyfishoi shifrat në të 15’.
Ada iu kundërpërgjigj me Arsen Hajdarin në minutën e 66-të, por goli i 20-vjeçarit velipojak ishte i pamjaftueshëm, pasi ndeshja e parë në Velipojë kishte përfunduar 0-0.
Tashmë në ndeshjen e kthimit, Partizani është totalisht i riformatuar, duke u nisur që nga porta, ku në vend të Xhino Sejdos pa përvojë është Arjon Mustafa, një veteran i katërkëndëshit e që në dy ndeshjet e para të këtij sezoni me të kuqtë ka shfaqur një formë shumë të mirë.
Rajmond Shala, Arjan Sheta, Luan Pinari dhe Maringlen Kapaj përbëjnë kuartetin e prapavijës, ndërsa në rombin e mesfushës priten të jenë Ardit Beqiri, Sokol Ishka (i rikuperuar), Arbër Capa dhe Rrahman Hallaçi. Sulmi do të përbëhet nga Erjon Rizvanolli dhe Rezart Maho, ky i fundit realizoi dhe dy golat e fitores 2-0 së Partizanit kundër Sopotit në Librazhd.
Ada është duke bërë një sezon të shkëlqyer, duke u renditur në vendin e katërt, me 34 pikë, 8 pikë më shumë se Partizani i vendit të shtatë, 26 pikë (por më një ndeshje më pak, atë kundër Bilisht Sportit).
Ada nuk dallohet si një ekip i transfertave, ku ka mundur të grumbullojë vetëm 6 pikë nga 24 të mundshmet (2 fitore, 6 humbje), për më tepër që ka një rendiment shumë të ulët në shënimin e golave: 4 në transfertë (në 8 ndeshje), kundrejt 32 golave të realizuar në Velipojë (në 10 ndeshje).
Partizani synon të kapë një nga vendet e katërta në renditjen e Kategorisë së Parë – dy të parat të çojnë direkt në Superligë dhe dy të dytat në play-off – e Ada është një nga pengesat që duhet kaluar në “Selman Stërmasi”.
Në ndeshjen e fundit në shtëpi, Partizani barazoi 1-1 me Bylisin e vendit të parë (44 pikë), ndërsa Ada humbi 2-1 me Burrelin në ndeshjen e saj të fundit në transfertë.
Burimi: Albania-sport.com
E Enjte, 18 Shkurt 2010
Shto dhe ti komentin tend
Emri dhe e-maili