E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani, stërvitje e diferencuar, mendja tek merkato

Nga Edmond Sufaj

Demat e kuq i kanë kryer seancat e fundit stërvitore me lojtarë të rinj, pasi titullarët priten të grumbullohen në fillimin e javë së ardhshme

Ekipi i Partizanit nuk ka qenë i plotë gjatë seancave stërvitore që ka zhvilluar ditët e fundit. Në këto stërvitje kanë marrë pjesë kryesisht lojtarë të rinj. Grupi i futbollistëve titullarë pritet të bashkohet në fillimin e javës së ardhshme. Stafi teknik po shqyrton dhe mundësitë për kryerjen e disa ndeshjeve miqësore gjatë këtyre ditëve të fundit.

Por ajo që mbetet në qendër të vëmendjes është merkato dimërore, e cila duket se do të jetë dhe pika e nxehtë e këtyre pushimeve për demat e kuq. Pas përfundimit të fazës së parë, drejtuesit e ekipit kanë shprehur nevojën e domosdoshme për të forcuar skuadrën me elementë cilësorë. Menjëherë pas përfundimit të fazës së parë, drejtuesit kanë nisur shqyrtimet për lojtarët që mund të afrohen.

Kjo gjë ka ardhur, pasi faza e parë ka nxjerrë në pah shumë probleme lidhur me paqëndrueshmërinë në lojë dhe rezultate të skuadrës, ku si pasojë janë humbur dhe shumë pikë të rëndësishme, të cilat kanë ndikuar jo pak në renditjen e Partizanit. Pikërisht, këto arsye i kanë shtyrë drejtuesit të hidhen në sulm për të afruar elementë të rinj një skuadër. Është përfolur shumë për disa emra futbollistësh, me të cilët drejtuesit janë në kontakt, por vetëm javët në vazhdim mund të përcaktojnë verdiktet e afrimeve të mundshme në ekip.

Gjatë fazës së parë, Partizani ka shfaqur mungesë harmonizimi ndërmjet reparteve në ndeshjet e fazës së parë, ku mungesa e kompaktësimit ndërmjet lojtarëve ishte shkak që në shumë raste futbollistët të dilnin nga skemat e dhëna nga trajneri, duke krijuar hapësira të shumta për kundërshtarët e tyre. Kjo shpjegohet dhe me numrin e madh të gola, që skuadra ka pësuar në fazën e parë.

Por edhe reparti i sulmit është paraqitur në vështirësi, ku mungesa e qartësisë dhe e qetësisë nga sulmuesit e saj para portës kanë bërë që të shpërdorohen shumë raste për shënim. Kujtojmë këtu ndeshjen e fundit me kryesuesit e Lushnjes, ku u humbën shumë raste të pastra nga sulmuesit, që ndikuan drejtpërdrejtë në humbjen e asaj sfide. Gjithsesi, drejtuesit kanë projektuar një Partizan të fortë gjatë fazës së dytë, në mënyrë që gabimet e fazës së parë të mos përsëriten më.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›