Partizani triumfon në finalen e vogël

Partizani mundi Dinamon në finalen e vogël për vendin e tretë, me golat e 17-vjeçarit Malaj dhe Guxhufit, që përmbysën avantazhin e bluve, pas golit të Bregut. Të kuqtë, me gjashtë debutues, e mbyllin kampionatin në vendin e tretë.
Partizani e mbylli kampionatin në vendin e tretë, pas fitores 2-1 kundër Dinamos në “Elbasan Arena”. Derbi i pestë sezonal midis tyre nuk kishte rëndësi reale për objektivat e skuadrave, pas eliminimit nga lufta për titullin dhe kualifikimit në Evropë. Megjithatë ajo që zakonisht quhet finalja e të zhgënjyerve u shndërrua në një ndeshje tërheqëse, falë lojtarëve të rinj të Partizanit.
Trajneri Skënder Gega aktivizoi gjashtë debutues përballë Dinamos së drejtuar nga Glen Daja me formacionin me të mirë, në kërkim të mbylljes me fitore të sezonit. Fillimi i ndeshjes shkoi sipas parashikimit, me Dinamon dominuese përballë të kuqve të rinj, por ishin këta që patën mundësinë e parë.
Megjithatë, Dinamo e gjeti avantazhin me anë të Devi Bregut, në minutën e 16-të. Teksa pritej dyfishimi nga blutë që patën sërish raste me Bregun dhe Itodon, vjen goli i barazimit, nga 17-vjeçari Devi Malaj, në minutën e 37-të. Fillimisht u sinjalizua pozicion jashtë loje, por pas një vëzhgimi të gjatë, gjyqtari njoftohet se goli ishte i rregullt dhe tregon nga qendra.
Blutë përgjigjen sërish me Bregun, por këtë herë gjuajtja e tij ndalet nga traversa, në minutën e tretë shtesë së pjesës së parë. Sapo nis e dyta, Partizani gjen golin e avantazhit, me Guxhufin, që merr topin në qendër të zonës dhe godet saktë. Dinamo nis menjëherë sulmet për të barazuar dhe provon gjatë gjithë kohës, duke e zhvendosur lojën, por pa pasur asnjëherë mundësi reale shënimi.
Në minutën e 76-të është 16 vjeçari Himallari që i afrohet golit të tretë për Partizanin, pa ia arritur. Rrjeta e Dinamos tundet për herë të tretë në minutën e 80-të, pas një vallëzimi të Bintsuka, por i nisur në pozicion të parregullt dhe goli i tij i bukur anulohet.
Gjithsesi, rezultati nuk ndryshon dhe Partizani i rinuar e mbyll me fitoren shpresëdhënëse, por edhe Dinamo e ka arsyen për të festuar fundin e sezonit, me Kupën e Shqipërisë që i dha fund thatësirës së gjatë pa trofe.