E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani, vetëm dy pikë larg vendit të tretë

Kategoria I Të kuqtë fituan 4-2 takimin me Pogradecin për javën e 23

Vazhdon marshimi i Partizanit drejt rikthimit në Superiore. Skuadra e drejtuar nga Gerti Haxhiu ka mposhtur Pogradecin me rezultatin 4-2 në takimin e fundit të javës së 23 të Kategorisë së Parë. Falë këtyre tri pikëve, të kuqtë rimorën vendin e katërt në klasifikim, duke u ngjitur në kuotën e 42 pikëve, ndërsa tashmë kërcënojnë seriozisht Lushnjën e vendit të tretë, nga e cila kanë vetëm dy pikë diferencë. Ndeshja filloi me avantazhin e shpejtë të liqenorëve, që shënuan me Pengun kur kronometri tregonte vetëm 12 minuta lojë. Por, skuadra e drejtuar nga trajneri çekiçi nuk arriti të përfitonte nga kjo situatë, duke e dorëzuar ndeshjen. Reagimi i Partizanit ishte mjaft i shpejtë dhe Rezart Maho barazoi shifrat vetëm pas 60 sekondave. Në të 19-n Ishka kaloi vendasit në avantazh, ndërsa përpara mbylljes së pjesës së parë të lojës, Maho trefishoi. Me rezultatin 3-1, “demat” shkuan në pushimin ndërmjet pjesëve praktikisht me fitoren të siguruar, megjithatë golat vazhduan. Në minutën e 66-të, sulmuesi Erjon Rizvanolli realizoi edhe golin e katërt, ndërsa dy minuta më pas, Pogradeci shkurtoi shifrat në 4-2, me Galicën. Kjo ishte fitorja e 12 sezonale për Partizanin, në 23 javë të kampionatit: ata nuk kanë humbur asnjë prej tetë ndeshjeve të fazës së dytë, ndërsa tashmë mund të pretendojnë edhe vendin e dytë, që mbahet nga Elbasani me 46 pikë.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›